Gjykata Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se është liruar Nemanja Vllaskovic, njëri nga drejtuesit e grupeve të dhunshme në veri të Kosovës.
“Po është e vertetë që është liruar dje, me dorëzani”, ka thënë Lumnije Surdulli nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Ndërkaq, mediat serbe kanë publikuar pamje të tij pas lirimit. Vllaskovic u vendos në pranga më 19 qershor dhe arrestimi i tij u bë i ditur nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit ‘Kallxo’ në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, kishte deklaruar ai.
Situate në veri u tensionua në fund të majit me zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Zgjedhja e tyre u kundërshtua dukshëm nga banorët serbë, të cilët mbajtën protesta në vazhdimësi. Në këto protesta, u sulmuan policët e Kosovës, forcat e KFOR-it dhe gazetarët.