Lituania, vend anëtar i NATO-s me një popullsi prej afro 3 milionë banorësh, po forcon sigurinë e saj në kufi mes rritjes së shqetësimeve të sigurisë të shkaktuara nga prania e mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellurusi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Evropën Lindore, Myroslava Gongadze, ishte në zonën kufitare mes Lituanisë dhe Bjellorusisë dhe bisedoi me rojën kufitare që mbronin kufirin e aleancës perëndimore.
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, vendet anëtare të NATO-s Polonia, Lituania dhe Letonia, fqinje me Bjellorusinë, kanë rritur aftësitë mbrojtëse në kufi.
Ruslanas, i cili nuk e tregon mbiemrin për arsye sigurie, është me njësinë e rojeve kufitare lituaneze dhe ka shërbyer në Irak dhe Afganistan. Ai po bëhet gati për të patrulluar kufirin. I pajisur mirë për të mbrojtur kufirin e NATO-s, ai thotë se detyra është e vështirë.
“Nuk është detyrë e lehtë dhe nuk është për të gjithë. Nuk kërkon vetëm anën fizike, por edhe atë mendore. Është mjaft e vështirë”.
Gjatë dy viteve të fundit, ai dhe kolegët e tij janë përballur me provokime nga Bjellorusia, përfshirë shkeljet kufitare, siç ishte vendimi i Bjellorusisë për të dërguar migrantë të paligjshëm në Lituani.
“Ishim dëshmitarë, i pamë sesi i shtynë ata. Migrantët thanë të njëjtat gjëra. Ata nuk i lejuan migrantët të ktheheshin mbrapsht”, thotë për Zërin e Amerikës roja kufitare Ruslanas.
Pas mbërritjes së mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellorusi, Lituania e përforcoi edhe më tej praninë e saj ushtarake në kufi. Ky gardh kufitar, me kamera vëzhgimi dhe sistem zbulimi gjatë natës, u ndërtua dy vjet më parë.
Autoritetet po përgatiten për kërcënime të tilla si infiltrimi i migrantëve armiqësorë, shkëmbime zjarri në kufi, ose përsëritja e incidentit të helikopterëve bjellorusë që shkelën hapësirën ajrore polake.
Zëri i Amerikës bisedoi me Komandantin e Gardës Kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas.
“Mund të them se situata është e qëndrueshme, megjithatë, shumë e tensionuar, sepse Bjellorusia po merr pjesë aktive në agresionin kundër Ukrainës. Situata e sigurisë në rajonin tonë është shumë e tensionuar edhe për shkak të pranisë së mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellorusi”.
Ai thotë për Zërin e Amerikës se lufta në Ukrainë ka ndikuar tek qasja e vendit të tij ndaj sigurisë kombëtare.
“Ka ndryshuar në mënyrë drastike. Publiku dhe organet ligjzbatuese po i kushtojnë më shumë vëmendje situatës së sigurisë. Nga këndvështrimi ynë, si roje të kufirit, ne filluam t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje çështjeve të sigurisë kombëtare. Roja kufitare u bë pjesë e forcave të mbrojtjes në rast konflikti ushtarak, në rast agresioni”.
Ai thotë se Lituania dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s në kufi me Bjellorusinë dhe Rusinë po bashkëpunojnë ngushtë në rast të provokimeve të mëtejshme.
Autoritetet po vëzhgojnë nga afër zonën Suwalki – një rrip toke që kalon 100 kilometra përgjatë kufirit polako-lituanez midis enklavës ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusisë.
Polonia dhe tre shtete baltike kanë shpallur gjendjen e gatishmërisë së lartë në këtë zonë. Në ditët në vijim, Lituania ka në plan të mbyllë dy nga pikat e saj të kalimit kufitar me Bjellorusinë.
Kreu i rrojes kufitare të Lituanisë i tha Zërit të Amerikës se nuk mendon se Bjellorusia, në koordinim me Kremlinin, është gati të nisë një luftë me NATO-n në të ardhmen. Megjithatë, lituanezët besojnë se duhet të jenë të gatshëm të përballen me çdo provokim të mundshëm.