Virgil van Dijk dhe Mohamed Salah janë në rrugën e duhur për të qenë në fushë në finalen e Champions League, ku Liverpool do të përballet me Real Madrid.
Konfirmimi për rikuperimin e dy yjeve të skuadrës erdhi nga trajneri Jürgen Klopp, që gjithsesi u shpreh se ka ende dyshime nëse ata mund të jenë të paktën rezerva të dielën, në sfidën e fundit të Premier League. Drejtuesi i Reds sqaroi edhe situatën e mbrojtësit Joe Gomez dhe mesfushorit Fabinho.
“Situata duket pozitive, lojtarët që kanë patur probleme, Van Dijk, Salah dhe Fabinho janë në rrugën e duhur për tu rikuperuar. Megjithatë stafi mjekësor do të vendosë nëse dikush prej tyre mund të jetë gati prej kësaj fundjave. Do të më pëlqente që të paktën të dielën ti kishim në stol, por nuk e di nëse do të jetë e mundur”, tha Kloop.
Mbrojtësi Van Dijk dhe goleadori Mohammed Salah u dëmtuan në finalen e FA Cup, të fituar me penallti përballë Chelsea. Ndërkohë, mesfushori Fabinho pësoi një lëndim muskulor disa ditë më parë, në ndeshjen kundër Aston Villa.