Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një inspektim të masave për parandalimin e COVID-19 në Lezhë, së bashku me Prefektin Gjokë Jaku, Kryetarin e Bashkisë Pjerin Ndreu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
“Munda të ballafaqohem sot paradite në Shkodër, pra këtu janë masat më të plota, më të mira dhe më të gjera. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë autoritetet, Kryetarin e Bashkisë, Prefektin, që i kanë dhënë një pamje tjetër qytetit. Megjithatë sado mirë të jetë krahasimisht, prapë edhe këtu situata ka nevojë për t’u përmirësuar më tej dhe Kryetari i Bashkisë më garantoi që do të thellojë më tej masat, sidomos nëpër këto pikat problematike që janë tregjet e vogla të fruta perimeve ku ka më shumë grumbullim qytetarësh dhe në tentativa për të mos i respektuar distancat. Duke filluar nga nesër në të gjithë vendin do të aplikohen standarde të reja për sigurinë në tregjet ushqimore kryesisht, në fruta-perime dhe tregjet e hapura me qëllim që të ruhet distanca”, u shpreh Lleshaj.
Më tej shtoi:
“Gjej rastin këtu t’u apeloj të gjithë qytetarëve të Lezhës që të bëjnë maksimumin e tyre, të kufizojnë në maksimum vetëveten, për t’i dhënë shanset minimale përhapjes së më tejshme të virusit, i cili fatkeqësisht edhe në Lezhë pati një shpërthim të papritur dhe besoj që me masat e marra si në Lezhë, të cilat ftoj edhe kryetarët e tjerë të bashkive t’i ndjekin, besoj që do të kemi një rezultat pozitiv në finalen e kësaj përpjekjeje të madhe tonën,”
Teksa një prej gazetarëve e pyeti ministri se “kemi parë këto ditë uniformat blu të cilët nuk kanë as maska as doreza”, Lleshaj u përgjigj:
“Në fakt uniformat blu kanë maska edhe doreza, që qoftë se keni parë ndonjë që nuk i respekton dhe nuk i qëndron detyrimeve që ka marrë nga eprorët e tij, do të duhet që të marrim masa ne për të. Në përgjithësi, jo në përgjithësi por të gjithë punonjësit e Policisë janë të pajisur me pajisjet mbrojtëse.”/TCH/