Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi sot skuadrën “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ku bëri edhe një paraqitje të plotë të ndryshimeve dhe rezultateve të arritura në gjirin e Policisë së Shtetit gjatë 7 viteve të fundit.
Në fjalën e tij, ministri Lleshi theksoi se “Policia e Shtetit Shqiptar ka nevojë të përtërihet dhe të shtohet. Pikërisht këto dy gjëra po ndodhin sot këtu në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë. Ajo po përtërihet me djem dhe vajza të rinj, si dhe po shtohet në numrin e saj në mënyrë të konsiderueshme”.
“Në harkun e shtatë viteve të fundit, nga viti 2013 Policia e Shtetit është shtuar me 17%. Ndërkohë që një figurë krimi, vrasja është ulur me 47%, ose pothuajse përgjysmuar. Kjo na jep qartazi para syve domethënien e investimit në Policinë e Shtetit. Investimi njerëzor në Policinë e Shtetit është investim në sigurinë e qytetarëve është investim në favor të jetës dhe të prosperitetit të tyre. Përgjysmimi i numrit të vrasjeve në harkun e këtyre viteve është vetëm njëri prej treguesve, ndërkohë që të gjitha kurbat e tjera, që përshkruajnë tendencën e zhvillimit të tregueseve kryesorë të sigurisë publike në vend, ndjekin po të njëjtën linjë”, – nënvizoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj u shpreh se “është me shumë rëndësi të theksojmë që ne nuk kemi ndjekur vetëm politikën e shtimit të numrave të Policisë, por paralelisht me këtë kemi shtuar në mënyrë të konsiderueshme edhe njësitë e saj. Pra nuk janë shtuar njësitë ekzistuese, por janë krijuar kapacitete të reja me qëllim që t’i përgjigjemi sfidave të reja, sepse koha na ballafaqon përditë me sfida të reja. Kështu që 12 njësi si kjo i janë shtuar Policisë në nivelin vendor. Njësi të ngjashme i janë shtuar Policisë së Kufirit dhe një numër i caktuar njësish të tjera janë shtuar në nivelin qendror, atje ku kërkohet specializim i lartë për të përballuar çështje me seriozitet dhe me komplikacion të lartë”.
Lleshaj u ndal gjithashtu në njësitë e reja të krijuara në Policinë e Shtetit të cilat janë të profilizuara në luftën e sofistikuar ndaj krimit siç janë njësitë “C”, “I”, “E”, “K” si dhe në rezultatet e arritura nga Operacioni Forca e Ligjit.
“Kështu kemi shtuar Njësinë “E” që është Njësia e Krimit Ekonomik, ose e luftës kundër krimit ekonomik. Njësi e specializuar për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar, për të luftuar pastrimin e parave, dhe figurave të ngjashme të kriminalitetit. Njësi e përbërë nga ekspertë të mirëfilltë, të përzgjedhur nga radhët e studentëve më të mirë që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetet e vendit, të trajnuar në mënyrë intensive në Akademinë tonë të Sigurisë edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Tashmë kjo njësi është tërësisht operacionale dhe po kryen detyrën e saj me sukses në të gjithë vendin”, – nënvizoi Lleshaj.
Njësi tjetër, vijoi Lleshaj, që është shtuar në strukturën e Policisë së Shtetit është Njësia “K”, e cila ka për detyrë kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë.
“Njësi tjetër e shtuar në strukturën e Policisë së Shtetit, është Njësia e Inteligjencës, Njësia “I”. Ajo që ka për detyrë mbledhjen përpunimin, analizën e informacionit policor, sipas parimit tashmë gjerësisht të zbatuar në polici dhe në vendet moderne europiane, që policia bazohet mbi inteligjencë”, – tha Lleshaj.
Në lidhje me gjetjet e një sondazhi të mbështetur nga qeveria suedeze për besimin e qytetarit tek Policia dhe sigurinë, ministri Lleshaj u shpreh se besimi i qytetarëve është në nivelet më të mira historike, e shkon mbi 62%, në nivel kombëtar.
“Vlerësimi pozitiv për Policinë e Shtetit është në nivelet më të larta historike, që shkon mbi 62%, në nivel kombëtar. Pra, mbi 62% e qytetarëve besojnë tek Policia e Shtetit, tek roli pozitiv i saj dhe kjo është inkurajuese. Por, është edhe një sfidë dhe një përgjegjësi e lartë për secilin që e mban uniformën e nderuar të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që po ashtu, sipas të njëjtit studim, 75% e qytetarëve të Shqipërisë beson se është i sigurtë, kur udhëton edhe natën në rrugët e qytetit apo të fshatit të tij”, shtoi Lleshaj./ATSH/








