Vrasja e dy vëllezërve Bilali në Shkodër ka ndodhur për larje hesapesh. Kështu u shpreh nga Shkodra ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili tha se tentakulat e krimit sot goditën përsëri.
“Sot tentakulat e krimit të organizuar kanë arritur përsëri të godasin. Dhe kemi pra këtë ngjarje të rëndë, e cila ka ngritur në alarm gjithë forcat e policisë vendore, por edhe forca të tjera qendrore nga Tirana. Me gjithë luftën dhe goditjet e forta që i janë dhënë krimit të organizuar në Shkodër, edhe gjatë kohëve të fundit, me goditje të rëndësishme ndaj grupeve të organizuara të këtij krimi, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende dhe mbetet shumë për të bërë. Metastazat e këtij krimi edhe sot pra treguan që janë ende gjallë dhe që kanë mundësi për të goditur. Sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një rast specifik, i cili është “larje hesapesh”, kjo është pista kryesore e cila ndiqet. Edhe “larja e hesapeve” na prek, na rëndon, na vjen keq që kemi larje hesapesh, por nuk ka hapësirë aspak për shqetësime në fushën e sigurisë për qytetarët e Shkodrës”, theksoi ministri.
Lleshaj nuk dha detaje nga hetimet, por tha se ato vazhdojnë intesivisht për ta zbardhur këtë ngjarje.
“Hetimet janë në proces të plotë, por sigurisht nuk është funksioni im për t’u marrë me hetimet dhe nuk mund t’ju them asgjë lidhur me hetimet. E para, sepse nuk di hollësira, por edhe sikur t’i dija, e kam të ndaluar të shprehem për to. Di që ka një angazhim të plotë. Janë të gjitha strukturat e Policisë Vendore dhe të Drejtorisë së Përgjithme të Policisë të angazhuar për ta përmbyllur sa më shpejt dhe për të zbardhur sa më shpejt këtë rast dhe raste të tjera që janë në proces për t’u mbyllur”, tha Lleshaj.
Ministri garantoi qytetarët e Shkodrës që të ndihen të sigurt, pasi vëmendja e policisë është në Shkodër.
“Qytetarët nuk kanë pse të ndihen të pasigurt, për arsye se gjithë vëmendja, dhe gjithë angazhimi i Policisë së Shtetit është këtu dhe mund të garantoj plotësisht që nuk ka hapësira për frikë nga qytetarët e Shkodrës”, tha Lleshaj./Ora News/