Gazeta prestigjioze gjermane, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka publikuar një shkrim të gjatë të saj për situatën më të fundit në Kosovë
Gazeta prestigjioze gjermane, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka publikuar një shkrim të gjatë të saj për situatën më të fundit në Kosovë, të cilën e ka titulluar “Lojëra serbe”. Gazetari Michael Martens thotë se është vetë Beogradi që nxit dhunën në Kosovë dhe më pas bën të paditurin përpara BE-së. Sipas tij, gjithçka bëhet për kontrollin e territorit.
Gazetari kujton fillimisht luftërat në Jugosllavi dhe se vrasjet në Kroaci e Bosnje nga trupat e financuara dhe të dërguara nga Beogradi, por presidenti i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç pretendonte se s’kishte të bënte me to. Millosheviçi i përshkruante luftërat si “konflikte mes serbëve lokalë të Kroacisë e Bosnjës me qeveritë në Zagreb e Sarajevë”. “Ishte një rrenë ashiqare”, – shkruan gazeta.
Në shkrim thuhet se edhe presidenti rus, Vladimir Putin kopjoi me sukses metodën e Millosheviçit për të aneksuar Krimenë në 2014-ën. Edhe atje trupat ruse u dërguan pa emblema në uniforma. “Zyrtarisht, Kremlini thoshte se s’ka të bëjë asgjë me këta trupa dhe sot kur kjo rrenë e vjetër s’është më e nevojshme, Moska mburret se si ushtarët e saj të vegjël pushtuan Krimenë. Rrenat e djeshme janë bërë akte heroike sot”, – shkruan FAZ.
“Diçka e ngjashme po ndodh edhe në Ballkan ndër vite. Teksa ende nuk është krejtësisht e qartë nëse gjakderdhja e fundit ishte provokim nga Beogradi që u doli nga kontrolli dhe se cili ishte qëllimi i aksionit, një gjë është e sigurt: Qytetarët e zakonshëm në veri të Kosovës nuk posedojnë vetura të blinduara apo granata dore. Grupi i armatosur që vrau policin dhe më pas u strehua në Manastir, është pjesë e strategjisë së pajisur dhe mbështetur nga Beogradi”, – shkruhet në artikull. Sipas gazetës edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehet se nuk dinte asgjë për këtë, “duhet të jesh shumë naiv t’i besosh”.
“Vuçiç po përdor metodën e mësuesve të tij, Millosheviçit dhe Putinit: Dhuna promovohet sistematikisht, por u jepet nënkontraktorëve. Në të njëjtën kohë, në skenën evropiane vepron si i shqetësuar dhe pretendon se është i gatshëm të përfshihet në bisedime dhe negociata”, – thuhet ndër të tjera në shkrim. Gazetari citon se strategjia e presidentit të Serbisë është që të harxhojë kohë ndërsa qëllimi është të kontrollojë territor duke shpresuar që Trump do të kthehet në SHBA.
“Beogradi po luan lojë cinike në Kosovë. Është koha të shpërfaqet kjo lojë. Jo vetëm në retrospektivë, kur bëhet vonë, siç ishte rasti i Millosheviçit dhe Putinit, por tani. Deformimi i fakteve është lojë e Vuçiçit”, – thuhet në shkrim. Gazetari Michael Martens thotë në Twitter se tani ka 2 rrugë: E para për një hetim ndërkombëtar mbi Serbinë dhe që të ngrijnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE. Përveç kësaj, sipas tij, dialogu është proces i vdekur dhe se edhe ndërmjetësit e dinë.
SHKRIMI I PLOTË
Lojëra serbe
Beogradi nxit dhunën në Kosovë dhe pretendon të jetë i paditur përpara BE-së. Në realitet, bëhet fjalë për kontrollin e territorit.
Kur Jugosllavia u shpërbë me gjak 30 vjet më parë, Serbia luajti një lojë cinike: teksa trupat e financuara nga Beogradi dhe të dërguara në betejë plaçkitën, vranë dhe pushtuan në Kroaci, dhe më vonë në Bosnje, presidenti serb Slobodan Millosheviç u paraqit si i pafajshëm. Ai pohonte se vendi i tij nuk kishte asnjë lidhje me të, se bëhej fjalë për konflikte ndërmjet serbëve vendas dhe shteteve fqinje. Kjo ishte një gënjeshtër dhe megjithatë vështirë se dikush në Perëndim e ngriti zërin kundër saj. Njerëzit preferuan ta shihnin Millosheviçin si partner negociator. Putini kopjoi me sukses sistemin e Millosheviçit në Krime në vitin 2014. “Burrat e tij të vegjël me të gjelbra” ishin forca speciale të ushtrisë ruse pa shenja kombësie në uniformat e tyre. Zyrtarisht, Kremlini pohoi se nuk dinte asgjë për të. Sot, kur gënjeshtra nuk është më e nevojshme, Moska mburret me operacionin special për pushtimin e Krimesë në atë kohë. Gënjeshtra e djeshme është bërë shfrytëzimi i sotëm.
Diçka e ngjashme aktualisht po shfaqet sërish në Ballkan. Kosova veriore e populluar nga serbët kontrollohet kryesisht nga Serbia. Pothuajse të gjitha punët varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Beogradi. Asgjë e rëndësishme nuk ndodh në veri pa dijeninë e qeverisë serbe. Një javë më parë, një skuadër prej 30 luftëtarësh u shfaq papritur në veri. Ata ishin të pajisur mirë, me armë zjarri, granata dore, automjete të blinduara dhe pajisje komunikimi, të kamufluar nën kapuçë. Skuadra bllokoi një rrugë, i zuri pritë një njësie policore kosovare, qëlloi një polic dhe më pas u fsheh në një manastir ortodoks, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe të kishës serbe. Të paktën 3 luftëtarë u vranë në një përleshje të mëvonshme me policinë kosovare.
Nuk është plotësisht e qartë nëse luftimet ishin një provokim i Beogradit që doli jashtë kontrollit dhe çfarë synohej prej tyre. Një gjë është e sigurt: grupi i luftëtarëve të lirë mund të ishte pajisur dhe mbështetur vetëm nga Beogradi. Qytetarët e thjeshtë nuk kanë automjete të blinduara dhe granata dore, as në zonat e egra të veriut të Kosovës. Nëse presidenti i fuqishëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tani pohon se nuk dinte asgjë për do të duhet të jesh shumë naiv për ta besuar atë. Vuçiç po përdor metodën e zotërisë së tij Millosheviçit, ministër i propagandës së të cilit ishte: dhuna u jepet nënkontraktorëve të ushtrisë së lirë dhe promovohet sistematikisht, ndërsa në skenën evropiane pretendon se je i shqetësuar dhe i gatshëm për të negociuar, gjë që në realitet synimi është vetëm të fitosh kohë. Qëllimi i vërtetë është kontrolli mbi territorin.
Burrat e shtetit që dikur besonin gënjeshtrat e Millosheviçit duken sot qesharakë, në rastin më të mirë në retrospektivë sot. Ata që sot janë në krye dhe ende besojnë, ose pretendojnë se besojnë, se Vuçiçi është një njeri, fjalës së të cilit mund t’i besohet, duhet të mendojnë se si do të jetë ai qëndrim pas 10 vjetësh. Vuçiç po ndjek një strategji cinike në Kosovë. Është koha për ta quajtur atë me emrin e saj. Jo në retrospektivë, si me Millosheviçin dhe Putinin, por tani. Që Vuçiq po shtrembëron faktet është loja e tij. Askush nuk po e detyron BE-në apo Berlinin të luajnë së bashku.