Lojërat Olimpike të Tokios mund të jenë në dyshim edhe vitin e ardhshëm.
Kështu ka thënë shefi ekzekutivi i Lojërave të Tokios, Toshiro Moto. Lojërat Olimpike “Tokio 2020” është dashur të mbahen në korrik dhe në gusht, por janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka thënë këtë javë se në pjesën më të madhe të vendit do të shpallet gjendje emergjente, në tentim për të parandaluar shpërthimin e koronavirusit.
“Nuk mendoj se dikush mund të thotë se do të jetë e mundur të kontrollohet deri në korrikun e vitit të ardhshëm. Qartë se nuk jemi në pozitë të japim përgjigje të saktë. Në vend se të mendojmë për alternativat, njerëzimi duhet të bashkojë teknologjinë dhe mençurinë për të punuar shumë, që të zbulohet trajtimi, ilaçi dhe vaksina”, ka thënë Toshiro Muto, përcjell CNN.
“Ne kemi vendosur të shtyjmë Lojërat për një vit dhe kjo do të thotë se të gjithë ne duhet të punojmë shumë për t’u bërë gati për Lojëra”.
Japonia ka konfirmuar më shumë se 5500 raste me Covid-19 dhe 99 të vdekur. Por ekspertët vlerësojnë se shifrat mund të jenë dukshëm më të mëdha, për shkak të testeve jo të mjaftueshme.
Lojërat Olimpike do të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”.
Është hera e parë në histori që një edicion i Lojërave Olimpike është shtyrë. Lojërat në vitet 1916, 1940 dhe 1944 janë anuluar për shkak të luftërave botërore.




