Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të anulohen tërësisht nëse koronavirusi nuk vihet nën kontroll deri vitin e ardhshëm. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i “Tokio 2020”, Yoshiro Mori.
Lojërat Olimpike ishte paraparë të mbaheshin këtë verë, por shkaku i pandemisë u shtynë për një vit. Është paraparë që të nisin më 23 korrik të vitit të ardhshëm.
Mori ka thënë se shtyrje të mëtutjeshme nuk do të ketë. I pyetur nga gazeta japoneze “Nikkan Sports” nëse mund të bëhet shtyrje tjetër, në rast se është e nevojshme, Mori është përgjigjur: “Jo. Në atë rast do të anulohen tërësisht”.
Ai ka thënë se pritet që COVID-19 të vihet nën kontroll deri atëherë dhe nëse ndodh kjo atëherë do të organizohen lojërat në paqe verën e ardhshme.
Lojërat Olimpike ishin anuluar në tri raste të kaluara, më 1916, 1940 dhe 1944. Gjitha ato anulime ishin shkaku i Luftërave Botërore.
Shtyrja e Lojërave Olimpike për një vit raportohet se ka kosto miliardësh.
Ekspertët mjekësor më herët kanë thënë se do të jetë vështirë të organizohen Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm në rast se nuk del ndonjë vaksinë kundër koronavirusit deri atëherë.