Në Lojërat Olimpike që pritet të mbahen në Tokio këtë vit nuk do të lejohen spektatorët të huaj. Vendimi u bë publik pas një takimi të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, qeverisë japoneze, qeverisë së Tokios, Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar dhe organizatorëve lokalë. Pjesëmarrja e publikut të huaj do të kufizohet tërësisht për shkak të frikës nga një rritje e numrit të të infektuarve me covid 19 në Japoni.
“Ne shprehim mbështetje për zhgënjimin e të gjithë tifozëve entuziastë të Olimpiadës nga e gjithë bota, dhe natyrisht familjeve dhe miqve të atletëve, të cilët po planifikonin të vinin në Japoni”, tha presidenti Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
“Lojërat Olimpike Tokio 2020” ishin parashikuar të mbaheshin vitin e kaluar, mirëpo ato u shtynë për shkak të pandemisë. Hapja e tyre do të bëhet më 23 korrik. Komiteti do të rimbursojë tifozët jashtë shtetit që kanë blerë tashmë bileta. Deri më tani janë shitur 630.000 bileta, sipas shefit ekzekutiv të komitetit Toshiro Muto.
Japonia ka njoftuar për rreth 8.800 vdekje nga Covid-19 dhe ka kontrolluar përhapjen e virusit më mirë se shumica e vendeve, po organizimi në përmasa botërore i ngjarjes më të madhe sportive ka shtuar pasiguritë.