Roma ka njoftuar se lojtarët, trajneri dhe stafi i trajnerëve kanë hequr dorë vullnetarisht nga paga për pjesën e mbetur të stinorit, për të ndihmuar klubin gjatë kësaj periudhe pezullimi shkaku i koronavirusit.
Ndeshjen e fundit Roma e zhvilloi më 1 mars, para se futbolli të pezullohej shkaku i pandemisë. Disa klube në Serie A po negociojnë me lojtarët për ulje të pagave gjatë kësaj periudhe. Roma ka njoftuar se është arritur marrëveshja për heqje dorë nga katër paga.
“Lojtarët e klbuit, trajneri i skuadrës së parë Paulo Fonseca dhe stafi i tij, vullnetarisht kanë hequr dorë nga paga për katër muaj për të ndihmuar klubin që të zbusë krizën ekonomike në të cilën gjendet pas bllokimit të futbollit shkaku i koronavirusit. Lojtarët, trajneri dhe stafi i trajnerëve po ashtu vullnetarisht janë pajtuar të paguajnë dallimin për të siguruar që gjithë punëtorët e Romës, që janë vendosur në skemën qeveritare për siguri sociale, do të marrin pagën e rregullt të tyre”, është thënë në komunikatë të klubit italian.