Futbollistët kanë shqetësime serioze për shëndetin e tyre, ndërsa Premier League është duke shqyrtuar vazhdimin e ndeshjeve pas pushimit të detyrueshëm shkaku i pandemisë COVID-19.
Këtë e ka thënë zëvendës-shefi i Unionit të Futbollistëve në Angli (PFA), Bobby Barnes.
Sipas planit “Projekti i Rikthimit”, Premier League synon të vazhdojë kampionatin nga qershori, ndërsa ndeshjet do të luhen në fusha neutrale. Por, po pritet aprovimi i qeverisë. Lojtarët janë të shqetësuar për bartjen e virusit pasi do të duhet ndarë fusha me të tjerët në sportin e kontaktit.
Një studim i qeverisë britanike ka njoftuar se personat me ngjyrë kanë dyfishë më tepër gjasa të vdesin nga koronavirusi sesa të bardhët dhe Barnes thotë se lojtarët e rinj me ngjyrë janë të shqetësuar për këtë.
“Ka lojtarë që kanë shprehur shqetësim serioz. Ke lojtarë që kanë fëmijë të vegjël, lojtarë që kanë bashkëshortet shtatzënë, njerëz që kanë probleme tjera shëndetësore. Disa lojtarë të rinj me ngjyrë me të cilët kam folur kanë lexuar mediat dhe duan përgjigje nga studimi i qeverisë. Ata po pyesin nëse kanë më tepër gjasa të preken dhe pse? Ne që jemi në zyrë e kemi të lehtë të themi mendimet tona, por nuk do të dalim aty të luajmë çdo të shtunë pasdite apo të diele dhe nuk do të kthehemi më pas te familjet”, ka thënë Barnes për “The Times”.
Të dielën klubi i Premier Leagues së Anglisë, Brighton & Hove Albion, ka njoftuar se një lojtar ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Është lojtari i tretë që rezulton pozitiv te ky klub.
Krerët e klubeve do të takohen më vonë të hënën për të diskutuar se si të përfundohen 92 ndeshjet e mbetura të stinorit në Premier League.