Një protestë e organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson ka mbledhur deri në 150 mijë njerëz në qendër të Londrës, duke shkaktuar përplasje të dhunshme me policinë.
Policia Metropolitane njoftoi se 26 oficerë u plagosën, katër prej tyre rëndë, pasi mbi ta u hodhën shishe dhe objekte të tjera. 25 persona u arrestuan për një sërë veprash penale, ndërsa policia paralajmëroi se hetimet do të vijojnë për identifikimin e të tjerëve.
Në operacionin e madh të sigurisë morën pjesë 1.500 efektivë nga Londra dhe rajone të tjera. Asistent Komisioneri Matt Twist deklaroi se shumë protestues kishin ardhur për të shprehur qëndrimin e tyre paqësisht, por një pjesë kishin synuar dhunën.

Përplasjet shpërthyen kur turmat u përpoqën të hynin në zonat e sigurta dhe t’u afroheshin kundër-protestuesve të organizatës Stand Up To Racism, të cilët mblodhën rreth 5.000 persona. Për t’i ndarë grupet, policia përdori kuaj, qen dhe mjete antiturbullire.
Në tubim foli edhe miliarderi Elon Musk përmes videolidhjes, duke kërkuar “ndryshim qeverie” dhe zgjedhje të reja në Britani. Robinson kritikoi gjykatat dhe politikanët për çështjet e emigracionit, ndërsa premtoi organizimin e një tjetër aktiviteti.
Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood dënoi dhunën ndaj policëve dhe paralajmëroi se “çdo person që ka kryer vepra penale do të përballet me forcën e ligjit”.
Nga ana tjetër, në kundër-protestë, deputetja e pavarur Diane Abbott tha se Londra “nuk është një qytet fashist” dhe se racizmi dhe dhuna “gjithmonë janë mposhtur”.