Një grup i shoqërisë civile ka si qëllim që të vizatojë me dorë gati 150,000 zemra në një mur përballë parlamentit të Britanisë, si një memorial për viktimat e COVID-19.
Murali pritet të shtrihet qindra metra përgjatë bregut jugor të lumit Thames jashtë spitalit Shën Thomas, ku kryeministri Boris Johnson u shtrua dhe përfundoi në kujdesin intensiv, pasi u infektua me koronavirus vitin e kaluar, shkruan ABC News.
Fushata është organizuar nga grupi “Covid-19 Bereaved Families For Justice UK” të cilët kanë bërë thirrje për një hetim publik mbi mënyrën sesi qeveria e ka trajtuar pandeminë.
“Çdo zemër është pikturuar individualisht me dorë (dhe) krejtësisht unike, ashtu si të dashurit që kemi humbur”, tha Matt Fowler, bashkëthemelues i grupit.
“Ashtu si shkalla e humbjes sonë kolektive, ky memorial do të jetë i madh”.
Qeveria e Britanisë ka premtuar të ndërtojë një memorial të përhershëm sapo të mbarojë pandemia.