Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje në News 24 tha se zgjedhjet në Himarë treguan se gjendja në Shqipëri nuk ndryshon me zgjedhje. Ai tha se në votimet e Himarës është ndërhyrë në mënyrë të shumëanshme.
Për Lubonjën, opozita nuk duhet të hynte fare në zgjedhjet e Himarës, si një paralajmërim për atë që i pret në vitin 2025. Lubonja theksoi se Rama e ka futur opozitën në një alternativë tepër dramatike: ose të bëhet fasadë e qeverisë ose të asgjësohet.
Fatos Lubonja: Këtu kemi të bëjmë me një regjim, ku rezultati duket sikur ishte i vendosur. Kjo tregon se gjendja në Shqipëri nuk ndryshon me zgjedhje, pasi është kapur shteti. Është ndërhyrë në mënyrë të gjithanshme, me transferime njerëzish etj që kam parë unë. Për mendimin tim, opozita nuk duhet të hynte në zgjedhje, si paralajmërim për atë që i pret në zgjedhjet e 2025. Këto zgjedhje sa di unë e ka marrë përsipër Vangjel Dule. Problemi më i madh i Himarës janë pronat. Rama shpërndau tapi përpara zgjedhjeve.
Në një vend të vogël si Shqipëria, pushteti ndikon më lehtë. Unë mendoj se Rama e ka futur opozitën në një alternativë shumë dramatike. Alternativa është ose bëhu fasadë e imja, pra futu në në parlament, bëj sikur bën opozitë ose unë ja jap rolin e opozitës Bashës a dikujt tjetër e të asgjësoj. Nuk duhet bërë opozita kështu, duhet diçka më e fortë. Rama ka marrë rrugën e eliminimit të opozitës. Unë jam edhe për denoncimin e ndërkombëtarëve. Nuk reagoi as Greqia për këto zgjedhje, besoj është bërë ndonjë marrëveshje.