Përplasja midis Izraelit dhe Palestinës që u agravua pas sulmit të Hamasit katër ditë më parë, është zhvendosur edhe në Londër, aty ku protesta janë zhvilluar nga të dy palët.
Mbrëmjen e djeshme mbështetësit palestinezë dhe izraelitë u përleshën në një stacion metroje në kryeqytetin britanike, ndërsa policia u përpoq dëshpërimisht të ruante rendin.
Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra oficerë policie që përpiqen të ndajnë demonstruesit izraelitë dhe palestinezë në stacionin e metrosë High Street Kensington në perëndim të Londrës, ndërsa më shumë se 1,000 aktivistë pro-palestinezë u mblodhën në rrugët jashtë.
Në Kensington protestuesit palestinezë me flamuj në duar ndezën fishekzjarrë dhe shkaktuan trazira, ndërsa policia arrestoi tre persona.
“Nga lumi deri në det, Palestina do të jetë e lirë“, ishte thirrja që pushtoi rrugët e Londrës, ndërsa në protesta të tjera në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar u dëgjua edhe thirrja: “Le të derdhet gjak”.
E djeshmja ishte një natë ku po ashtu mijëra protestues pro-palestinez dolën në rrugë duke marshuar drejt ambasadës së Izraelit në Londër.
Protestuesit para ambasadës izraelite thanë për mediat se “nuk ka asnjë mënyrë për të ndryshuar Lindjen e Mesme në mënyrë paqësore“.
Në kontrast të plotë me vallëzimet, këngët dhe fishekzjarrët e pro-palestinezëve në Kensington – dhe protesta të tjera të nxehta në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar – izraelitë që qanin u mblodhën jashtë Downing Street në një vigjilje për viktimat dhe pengjet e marra nga militantët e Hamasit që nisën një sulm të dhunshëm mbi kufirin e Gazës të shtunën.
Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi gjithashtu një sinagogë në Londër për të treguar mbështetjen e tij për Izraelin dhe më vonë dënoi sulmin e Hamasit në një deklaratë të përbashkët me homologët e tij francezë, gjermanë, amerikanë dhe italianë.