Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ushtria e Kosovës me profesionalizëm dhe përkushtim është gjithmonë e gatshme për t’i dale zot vendit dhe se së bashku me policinë janë garanci për sovranitetin e Kosovës. Reagimin e saj, Presidentja Osmani e bëri gjatë zhvillimit të ceremonisë për epopenë e UÇK-së, e cila kulmoi me tragjedinë e familjes Jashari.
“Kjo ushtri me profesionalizëm dhe përkushtim është gjithmonë e gatshme t’i dalë zot vendit. FSK-ja ashtu sikurse policia e Kosovës janë garanci për sovranitetit tonë. Një mburojë për paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë dhe një dëshmi se sakrifica e dëshmorëve të kombit nuk ka qenë e kot…Epopeja e UÇK-së na mësoi se asgjë nuk është e pamundur kur kemi guximin për të qëndruar të bashkuar për idealin e lirisë. Prandaj sot më shumë se kurrë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur Kosovën tonë. Për ta bërë atë më të fortë dhe dinjitoze dhe respektuar në botë. Le të ecim përpara me guxim dhe krenari për t’i treguar botës se Kosova është dhe do të mbetet një vend suksesi”, përfundoi Osmani.