Një nga gjërat që ushtria ruse nuk e priste të përballej gjatë ndërhyrjes në Ukrainë, ishte rezistenca civile, ku deri në këto momente mbi 20 mijë qytetarë kanë rrëmbyer armët për të mbrojtur vendin e tyre.
Në forma nga më të ndryshme, duke filluar nga ato paqësoret dhe deri te të dhunshme ukrainasit e organizuar në “njësi guerile” kanë dhënë kontributin e tyre për pengimin e avancimit të trupave ruse.
Kështu, për të çorientuar drejtuesit e tankeve ruse, agjencia e menaxhimit të rrugëve në Ukrainë, iu ka kërkuar qytetarëve që të heqin tabelat rrugore ose të ndryshojnë sinjalistikën dhe drejtimin e tyre.
“Të heqim tabelat në të gjitha rrugët e vendit. Armiku nuk e njeh vendin dhe nuk di të orientohet. Ti ndihmojmë të shkojnë në ferr”, shkruhet në thirrjen e bërë në Facebook.
Një tjetër gjë që autoritetet iu kanë kërkuar qytetarëve është dhe përgatitja e bombave Molotov. Për këtë qëllim qytetarët kanë udhëzues dhe mesa duket qindra prej tyre tashmë janë bërë profesionistë.
Por ka dhe nga ata qytetarë që kanë zgjedhur rrugën paqësore. Në rrjetet sociale, së fundmi janë postuar disa video, ku qytetarë ukrainas të paarmatosur iu kanë dalë përballë tankeve ruse, drejtuesve të të cilëve iu kërkojnë të kthehen pas.