Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë rezolutën që i bën thirrje për një seri pauzash humanitare në Gaza.
Projekt-rezoluta bën thirrje për “pauza dhe korridore urgjente dhe të zgjatura humanitare në të gjithë Rripin e Gazës për një numër të mjaftueshëm ditësh për të mundësuar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, aksesin e plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar për agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara dhe partnerët e tyre zbatues”.
Një nga diplomatët e OKB-së mbron lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura në Gaza nga Hamasi, veçanërisht të fëmijëve.
Rezoluta u hartua nga Malta dhe ka mbështetjen e Grupit Arab prej 22 anëtarësh, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila është anëtare e zgjedhur e KS të OKB-së, transmeton CNN.
Rreth një muaj më parë, Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute në KS të OKB-së që bënte thirrje për një pauzë humanitare në Gaza.
Projekt-rezoluta u propozua nga Brazili. Ajo dënoi sulmet e Hamasit të 7 tetorit në Izrael dhe kërkoi lirimin e pengjeve të marra, duke u bërë thirrje të të gjitha palëve që të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojnë jetën e civilëve në Gaza gjatë sulmeve ajrore izraelite.
Duke folur pas votimit, ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-të kërkonin më shumë kohë për ta lënë diplomacinë amerikane në terren të bëjë punën e saj.
Këshilli i Sigurimit është organi më i fuqishëm i OKB-së, por shpesh pengohet nga e drejta e vetos që ka secili prej pesë anëtarëve të tij të përhershëm.
Dymbëdhjetë nga 15 anëtarët e këshillit miratuan draftin e tetorit, me Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusinë që abstenuan dhe një veton të SHBA-së.