Mbretëria e Bashkuar ka miratuar përdorimin e bazave të saj nga Shtetet e Bashkuara për operacione kundër objektivave iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Kështu raporton BBC. Downing Street kishte autorizuar më herët forcat amerikane të përdorin bazat britanike për operacione që synojnë të pengojnë Iranin të lëshojë raketa që do të rrezikonin interesa apo jetë britanike.
Gjatë një mbledhjeje të qeverisë së sotme të kryeministrit Starmer, ministrat ranë dakord që përdorimi i bazave britanike nga SHBA tani mund të zgjerohet edhe për mbrojtjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në sulme dhe Downing Street thekson se “parimet që udhëheqin qasjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj konfliktit mbeten të pandryshuara”.
Një zëdhënës i Downing Street deklaroi se ministrat ranë dakord sot që bazat mund të përdoren për “operacione mbrojtëse amerikane”, të cilat synojnë të godasin “kapacitetet që përdoren për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit”. Ata shtuan gjithashtu se “ministrat theksuan nevojën për një ulje urgjente të tensioneve dhe një zgjidhje të shpejtë të luftës”.
Sipas raportimit të Wall Street Journal, Pentagoni po dërgon tre anije luftarake dhe mijëra marinsa shtesë në Lindjen e Mesme, në dislokimin e dytë të trupave në rajon gjatë javës së fundit.
Rreth 2.200–2.500 marinsa nga grupi i sulmit amfib i USS Boxer, me bazë në Kaliforni, si dhe nga Njësia e 11-të Ekspeditare e Marinsave, po drejtohen drejt Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), sipas zyrtarëve amerikanë.
Presidenti Donald Trump përmes një reagimi në rrjetet sociale ka sulmuar ashpër aleatët e NATO-s, duke i quajtur “frikacakë” për refuzimin e tyre për t’u përfshirë në luftën kundër Iranit.
“Nuk donin të merrnin pjesë në betejë. Tani ankohen për çmimet e naftës, por nuk duan të ndihmojnë.. Frikacakë, dhe do ta mbajmë mend”, tha Trump.
Ndërkohë, Aleanca ka pezulluar aktivitetet stërvitore për Misionin e saj në Irak dhe ka tërhequr afërsisht 600 anëtarë personel, mes konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Në ditën e 20-të të luftës, infrastruktura energjetike në Gjirin Persik u vu sërish në shënjestër nga Irani. Një dron i lëshuar nga ushtria iraniane shpërtheu në një rafineri në Kuvajti, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm.
14 dronë u lëshuan gjithashtu në provincën lindore të Arabia Saudite, të cilat, siç njoftoi Riadi zyrtar, u interceptuan nga mbrojtja ajrore. Katari konfirmoi se 17% e kapacitetit të tij eksportues të gazit është dëmtuar, çka pritet të ulë me 4% furnizimin me gaz.
Në Izrael, Irani nisi valën e 66-të të kundërsulmeve. Ushtria tha se përdori 3 lloje raketash dhe dronësh, ndërsa në shënjestër kishte Tel Avivin dhe Jerusalemin perëndimor.
Izraeli ndërkohë vijoi një valë të egër sulmesh në të paktën 8 qytete apo rajone në Irani. Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kanë goditur më shumë se 130 objekte infrastrukturore që i përkasin regjimit iranian dhe se vazhdojnë të dobësojnë kapacitetet e raketave balistike dhe sistemet e mbrojtjes.
Agjencia Axios raportoi këtë të premte se Donald Trump po shqyrton mundësinë për të pushtuar ose bllokuar ishullin strategjik Kharg për të ushtruar presion ndaj Iranit që të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
“Na duhet rreth një muaj për t’i dobësuar më shumë iranianët me bombardime, për të marrë ishullin dhe pastaj për t’i vënë nën presion dhe ta përdorim këtë për negociata”, ka thënë një burim pranë Shtëpisë së Bardhë.
Irani po shqyrton vendosjen e tarifave për çdo kalim në Ngushticën e Hormuzit. Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei n një mesazh të drejtuar së fundmi Presidentit Masoud Pezeshkian tha se “Ne duhet t’ua mohojmë sigurinë armiqve tanë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.”


