Shefi i inteligjencës së jashtme të Rusisë Sergey Naryshkin ka bërë të ditur se ai dhe homologu i tij i CIA-s, Uilliam Burns, kanë disktuar me tyre se çfarë do bëhet me Ukrianën.
Sipas Naryshkin, këtë diskutim ai e ka kryer në një telefonatë që ka zhvilluar në fund të muajit të kaluar, me shefin e CIA-s.
Në 30 qershor u raportua se Burns kishte telefonuar Naryshkin për të siguruar Kremlinin se Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë rol në kryengritjen e Vangerit, të drejtuar nga Yevgeny Prigozhin dhe grupi i tij i luftëtarëve.
Naryshkin konfirmoi se Burns e kishte telefonuar për ngjarjet e 24 qershorit, kur mercenarët morën kontrollin e një qyteti jugor rus dhe përparuan drejt Moskës përpara se të arrinin një marrëveshje me Kremlinin për t’i dhënë fund revoltës.
Megjithatë, ai ka pretenduar se për pjesën më të madhe të telefonatës, që zgjati rreth një orë, “ne shqyrtuam dhe diskutuam se çfarë do të bëjmë me Ukrainën”.
CIA nuk pranoi të komentojë mbi pretendimet e shefit të inteligjencës së jashtme ruse.
Burns dhe Naryshkin kanë mbajtur një linjë komunikimi që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në një kohë kur kontaktet e tjera të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Uashingtonit janë në minimum dhe marrëdhëniet janë në pikën e tyre më të ulët që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962.
Naryshkin është shprehur se negociatat për luftën do të bëheshin të mundshme në një moment të caktuar.
“Është e natyrshme që negociatat do të jenë të mundshme herët a vonë, sepse çdo konflikt, duke përfshirë konfliktin e armatosur, përfundon me negociata, por ende nuk janë pjekur kushtet”, është shprehur Naryshkin.
Sa i përket këtij qëndrimi këshilltari i presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “sot, dikush si Naryshkin nuk ka asnjë ndikim mbi mënyrën se si do të përfundojë lufta”.
Podolyak tha se Rusia po e humbiste luftën dhe nuk mund të kishte negociata me njerëz si Naryshkin.
“Kjo elitë ruse i percepton ngjarjet plotësisht në mënyrë joadekuate, kështu që nuk ka asgjë për të folur me ta”, ka theksuar se Podolyak, transmeton Al Jazeera.
Ukraina, e cila nisi kundërofensivën ndaj Rusisë muajin e kaluar, ka bërë të ditur se nuk do të hyjë në bisedime në këtë pikë pasi kjo mund të ngrijë në mënyrë efektive situatën në fushën e betejës, ku Rusia ka kapur më shumë se një të gjashtën e territorit të saj.