Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov kritikoi vendimin, i cili ua ndalon ushtarëve rusë mbajtjen e mjekrrës, duke iu bashkangjitur kritikave të fundit të shefit të mercenarëve të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.
Duke shkruar në Telegram, Kadyrov i denoncoi rregullat si “një provokim të qartë”, duke pretenduar se trupat me shumicë myslimane mbanin mjekër si pjesë e obligimit të tyre fetare.
Kjo vjen pas një interviste të fundit të Viktor Sobolev, një gjeneral-lejtnant në pension dhe anëtar i parlamentit rus, i cili mbrojti ndalimin e mjekrës, telefonave inteligjent dhe tabletave si një “pjesë elementare e disiplinës ushtarake”.
Shefi i Wagner Prigozhin i quajti komentet e Sobolevit “absurde” dhe “arkaizma të viteve 1960”, raporton euronews.
Ai gjithashtu ka sulmuar së fundmi Kremlinin për dështimin në bllokimin e platformës së shpërndarjes së videove në pronësi të SHBA-së, YouTube, duke sinjalizuar një përçarje në rritje me administratën e presidentit rus, Vladimir Putinit.
Kadyrov dhe Prigozhin, forcat e të cilëve në Ukrainë veprojnë me një shkallë të konsiderueshme autonomie, janë bërë më të hapura pasi ushtria ruse pësoi një varg disfatash në vjeshtë.
Të dy burrat kanë krijuar një aleancë të heshtur, duke përforcuar kritikat e njëri-tjetrit ndaj udhëheqjes ushtarake të Moskës dhe duke bërë thirrje që të përshkallëzojnë përpjekjet e luftës.