Shefja e diplomacisë së Bashkimit, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Ukraina nuk duhet të pranojë që vendi t’i lëshojë territore Rusisë për të arritur një marrëveshje paqeje.
Në një intervistë për BBC, Kallas tha se mbajtja e territoreve ukrainase që janë pushtuar tashmë nga rusët “është një kurth që po na e ngre Putini”. Rajoni i Donbasit në Ukrainën Lindore është një nga rajonet që pretendohet nga Rusia.
“Garancia më e fortë për sigurinë e Ukrainës është një ushtri ukrainase më e fortë,” tha kryediplomatja Kallas.
Në samitin e Alaskës mes presidentit Donald Trump dhe Vladimir Putin, Kallas tha se Putini “mori gjithçka që deshi” dhe se kjo do të ndikojë te negociatat për marrëveshjen e paqes.
“U prit aq ngrohtë dhe donte që të mos i viheshin sanksione, gjë që e arriti. Putini thjesht po qesh, nuk po i ndal vrasjet, por po i rrit vrasjet. Po harrojmë se Rusia nuk ka bërë një lëshim të vetëm,” theksoi Kallas.
Bashkimi Europian vazhdon të rrisë presionin ndaj Kremlinit për agresionin në Ukrainë, duke miratuar së fundmi një paketë të 19-të sanksionesh ndaj Rusisë.
Ndërkohë, presidenti Trump tha të enjten se ka lënë një afat dyjavor për të vlerësuar si po shkojnë bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Besoj se për dy javë do ta dimë sesi. Pastaj do të na duhet të ndryshojmë strategji,” deklaroi Trump në një intervistë telefonike me gazetarin Todd Starnes.
Edhe Zelensky ka akuzuar Rusinë se po i shmanget një takimi dypalësh në praninë e dy krerëve të shtetit. “Ata nuk duan që kjo luftë të mbarojë,” u shpreh Zelensky.