Kandidati demokrat për garën presidenciale, Joe Biden, të martën e javës së kaluar emëroi senatoren Kamala Harris për postin e zëvendëspresidentes, duke e bërë atë gruan e parë afroamerikane për këtë post. Por, me këtë Bideni ka tani edhe një partnere të përgatitur mirë, që mund t’ia rrisë gjasat për betejën kundër presidentit republikan, Donald Trump.
Protestat kundër racizmit që tronditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thelluan presionin mbi Bidenin për ta emëruar një grua me ngjyrë për postin më të rëndësishëm, pas atij të presidentit. Kësisoj, Harrisu bë gruaja e parë amerikano-aziatike që e merr biletën për garën presidenciale.
Te Harris, senatore 55-vjeçare që bëri emër në garën e vet për nominimin demokratik, Bideni ka gjetur një politikane me përvojë dhe të rryer në betejat politike në SHBA.
Bideni e quajti Kamala Herrisin luftëtare të patrembur dhe njërën prej shërbyeseve më të përkryera civile.
E ajo, shpejt i thuri lavde Bidenit, duke thënë se është personi që mund t’i bëjë bashkë amerikanët, ngase krejt jetën e kaloi duke luftuar për ata.
Harris, e cila ishte bërë vetëm gruaja e dytë me ngjyrë që zgjidhet senatore në zgjedhjet e vitit 2016, do të ketë tani për detyrë t’i mobilizojë afroamerikanët, votuesit më besnikë të Partisë Demokratike. Katër vjet më parë, mosdalja e tyre në zgjedhje e kishte ndihmuar Trumpit që ta mposhtte demokraten, Hillary Cliton.
Bidenit, që pa ndihmën e votuesve afro-amerikanë dhe të atyre latinë nuk do t’i fitonte zgjedhjet e Karolinës Jugore në muajin shkurt, i duhet përkrahja e tyre kundër Trumpit.
Votuesit afro-amerikanë dhe latinë do të jenë vendimtarë në shtetet si Michigani, Pensylvania dhe Ëisconsin. Katër vjet më parë, Trumpi kishte siguruar fitore të ngushtë në këto shtete.
Ndihma e tyre do t’i duhet edhe në vatrat e kahershme të republikanëve, si në Georgia dhe Florida.
Një numër i madh i liderëve afro-amerikanë e kanë cilësuar si historik nominimin e Kamala Harrisit për postin e zëvendëspresidentes.
Madje, vetë ish-presidenti afro-amerikan, Barack Obama, ka thënë se me Harrisin do të bëhet rokadë në betejën për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e kushtetutës amerikane.
Fushata e Bidenit siguroi fonde miliona dollarëshe vetëm një ditë, pas shpalljes së emërimit të Harrisit.
Ndërkaq, republikanët nisën menjëherë fushatën për ta portretizuar Harrisin si radikale që ka përqafuar qëndrime të majta ekstreme.
Presidenti aktual madje e quajti si senatore të tmerrshme.
Ekipi i fushatës së kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, i është kundërpërgjigjur ashpër presidentit Trump, pasi që ai i dha hov një teorie konspiracioni rreth bashkëkandidates së tij.
Trump ka thënë të premten të ketë “dëgjuar” se Kamala Harris – e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga prindër imigrantë – “nuk kualifikohet” për të shërbyer se zëvendëspresidente, shkaku i certifikatës së saj të lindjes. Me këtë gjë ai aludoi se Harrisi nuk është e lindur në SHBA.
Kjo gjë megjithatë nuk është e vërtetë, pasi që Harrisi është lindur në Oakland të Kalifornisë, më 20 tetor 1964.
Fushata e Bidenit i quajti këto komente të Trumpit si “të pështira” dhe “patetike”.
Më herët, Trumpi e kishte vënë në pikëpyetje edhe certifikatën e lindjes së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, duke pretenduar për vite me radhe se ai ishte lindur në Keni e jo në SHBA.