Sot, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje urgjente mbi luftimet në Izrael dhe Gazë.
Mbledhja do të mbahet në orën 15:00 për të trajtuar situatën në Lindjen e Mesme, ku organizata e Hamasit sulmoi mëngjesin e sotëm me raketa Izraelin duke lënë mbi 250 të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të plagosur. Nga kundërpërgjigja e Izraelit, në Palestinë janë vrarë mbi 200 persona dhe më shumë se 1.600 janë plagosur.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit vjen edhe pas kërkesën së Brazilit që bëri ditën e sotme, i cili mban presidencën e radhës të Këshillit.
Brazili dënoi sulmet në një deklaratë publike dhe shprehu solidaritetin me popullin e Izraelit. Brazili ka deklaruar gjithashtu një angazhim për një “zgjidhje me dy shteteve, me Palestinën dhe Izraelin që bashkëjetojnë brenda kufijve të pranuar reciprokisht dhe të njohur ndërkombëtarisht”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u zotua të hakmerret, duke deklaruar se vendi i tij është në luftë.
“Qeveria braziliane përsërit se nuk ka asnjë justifikim për përdorimin e dhunës, veçanërisht kundër civilëve, dhe u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të parandaluar një përshkallëzim të situatës. Menaxhimi thjesht i konfliktit nuk është një alternativë e mundshme për adresimin e çështjes izraelito-palestineze. Duhet urgjentisht të rifillojnë negociatat e paqes,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Brazilit.
Zhvillimet rreth situatës në Izrael dhe Palestinë
Hamas sulmon përsëri: Sipas autoriteteve izraelite, një sërë raketash janë lëshuar nga grupet militante të Hamasit të shtunën në mbrëmje, që goditën drejtpërdrejt shumë vende brenda Izraelit, duke përfshirë edhe Tel Avivin. Në një postim në Telegram, krahu i armatosur i Hamasit – grupi militant i cilësuar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Izraeli – tha se kishte lëshuar 150 raketa shtesë në përgjigje të bombardimit të një kulle banimi në qytetin e Gazës.
Izraelitët e kapur: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se Hamasi ka marrë pengje dhe robër lufte që kur nisi sulmin e tij të befasishëm të shtunën në mëngjes. Grupi militant pretendon se ka dhjetëra robër. Në videot e vërtetuara nga CNN, luftëtarët e Hamasit duket se marrin robër qytetarët dhe ushtarët izraelitë afër Gazës.
Çfarë thotë Hamas: Anëtari i lartë i Hamasit, Saleh al-Arouri tha se grupi militant, i cili drejton Gazën, është “gati për skenarin më të keq, duke përfshirë një pushtim tokësor, i cili do të jetë më i miri për ne për të vendosur përfundimin e kësaj beteje”
Çfarë po thotë Netanjahu: Në një fjalim televiziv të së shtunës në mbrëmje të transmetuar nga Reuters, Netanyahu tha se: “Ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë në Izrael. Ne do të marrim hak për këtë ditë të zezë.” Ai shtoi se “Izraeli do të arrijë në çdo vend ku Hamasi fshihet,” dhe paralajmëroi banorët e Gazës që të largohen tani. Ai komentoi edhe izraelitët e kapur. “Unë i them Hamasit, ju jeni përgjegjës për mirëqenien e robërve. Izraeli do të zgjidhë hesapet me këdo që i dëmton ata,” tha Netanyahu.
Reagimi ndërkombëtar: Presidenti Joe Biden tha në një fjalim të shtunën në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje urgjente të dielën në orën 15:00 për të diskutuar mbi këtë situatë. Vende dhe liderë nga e gjithë bota reaguan ndaj sulmeve, ku shumë prej tyre dënuan sulmet dhe të tjerë duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje. Ndërkohë, linjat ajrore ose kanë anuluar ose reduktuar në mënyrë dramatike fluturimet për në Tel Aviv, dhe zyrat dhe ambasadat e huaja po reduktojnë udhëtimet dhe po këshillojnë kujdes për shtetasit e tyre të pranishëm në Izrael.