Bjellorusia të premten e emëroi Viktor Lukashenkon, djalin e presidentit Aleksander Lukashenko, si kryetar të Komitetit Olimpik, ndonëse të dy burrave u është ndaluar pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.
Presidenti autoritar i shtetit të Evropës Lindore ka qenë vetë kryetar i Komitetit Olimpik Bjellorus që nga viti 1997. Ai e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe e filloi mandatin e gjashtë si president, ndonëse opozita protestoi, sepse i vlerësoi zgjedhjet si të mbushura me manipulime.
Duke folur në një takim të Komitetit Olimpik Bjellorus, Lukashenko tha se nuk kishte planifikuar që të qëndrojë në krye të këtij organi për një mandat shtesë dhe sugjeroi që i biri i tij, Viktori, i cili gjithashtu shërben si këshilltar i babait për Siguri Kombëtare, ta marrë këtë post. “Sugjerimi” i tij u shndërrua në vendim.
Politikani që është në pushtet për më shumë se dy dekada është akuzuar edhe për shtypje masive të protestave kundër tij, pas kontestimit të zgjedhjeve të gushtit si dhe shtypje të atletëve që e kanë përkrahur haptazi opozitën.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha në dhjetor se udhëheqësia e Komitetit Olimpik Bjellorus nuk i ka mbrojtur në mënyrën e duhur atletët nga diskriminimi politik, shkruan Reuters.
Ky organ ndërkombëtar i sportit ua ndaloi presidentit dhe djalit të tij, Viktorit, pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike dhe i përjashtoi ata nga të gjitha aktivitetet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.