Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tregoi në emisionin Pressing në T7 zhvillimet politike gjatë viteve 1990. Ai thotë se kur dolën ish-të burgosurit politik nga LDK, ata shkuan tek Rexhep Qosja dhe formuan një parti.
“Ishte ai që njihet si Kuvendi i Dorës. Më duket viti 98. Dolën të gjithë të burgosurit politikë dhe mu përmend emri edhe mua nuk e di pse. Kur mu përmend emri mua Hidajet Hyseni e lëshoi mbledhjen. Kishte shumë zhvillime në atë kohë dhe shqiptarët ishin mbledhur rreth një interesi kombëtar e pikënisje ishte Tirana. Nuk kërkohej atë kohë Republika por synim ishte bashkimi kombëtar. Kuptohet në këto rrugë u ndërtuan politikat tona. Ishte zona e Kosovës, e Maqedonisë dhe e Camerisë si zona me interes kombëtar përtej kufijve. Por këto ndryshuan pas Marrëveshjes së Rambujes kur morëm një rrugë tjetër. Në luftë UÇK-ja nuk shkoi për Republikë të Kosovës, por për bashkim kombëtar”, tha ai.
Tutje ai ka folur edhe për figurat politike më të njohurat të kohës. Ai foli për marrëdhëniet e ish-presidentit Ibrahim Rugova me Rexhep Qosjen dhe Adem Demacin.
“Rugova e ka dashtë edhe Demaçin edhe Qosjen. Rugova ishte ai që ka thënë se Republika e Kosovës do të ishte kompromis pasi bashkimi kombëtar nuk do të ishte i mundur. Kuptohet e drejta ndërkombëtare nuk donte kufij të rinj pas ndarjes së Jugosllavisë. Të burgosurit politikë iu bashkuan partisë së Qosjes. Qosja gjithmonë e kërkoi bashkimin kombëtar, nuk donte Republikë”, shtoi ai.