Lyoni i ka hedhur poshtë parashikimet për të dytin rund radhazi, duke e eliminuar Manchester Cityn në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat 3:1, pasi e eliminoi edhe Juventusin në rundin paraprak. Tani klubin francez e pret Bayern Munichu në gjysmëfinale.
Skuadra e Rudi Garcias është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2009/10, kur gjithashtu ishte përballur me Bayern Munichun – përballje kjo që e kishte humbur me rezultat të përgjithshëm 4:0.
Megjithatë, rrugëtimi i Lyonit këtë sezon u jep shpresa tifozëve të klubit francez për edhe një mrekulli tjetër, pasi që deri më tani në fazën eliminatore, Lyoni ka arritur t’i befasojë me fitore disa ndër pretendentët kryesorë, si Juventusin dhe Manchester Cityn.
Për ta siguruar biletën për në gjysmëfinale, Lyoni kaloi fillimisht në epërsi në minutën e 24-t të ndeshjes, përmes golit të shënuar nga Maxëel Cornet, i cili shënoi për herë të katër gol kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Guardiola u kritikua për zgjedhjet që i bëri në formacionin e parë, duke i lënë jashtë skuadrës së tij Bernardo dhe David Silvën si dhe Kevin de Bruynen. Ai i bëri ndryshimet gjatë pjesës së dytë, mirëpo ato nuk i mjaftuan përkundër golit të shënuar nga De Bruyne në minutën e 69-të të ndeshjes.
Manchester City tentoi ta gjejë golin për ta përmbysur rezultatin pas këtij barazimi, mirëpo kjo vetëm ia mundësoi Lyonit t’i shfrytëzojë gabimet e lojtarëve nën presion të Manchester Cityn, duke e kthyer epërsinë në minutën e 79-të të ndeshjes, kur Moussa Dembele shënoi golin e parë.
Dembele e vulosi fitoren e Lyonit në minutën e 87-të të ndeshjes, duke bërë që t’i ketë shënuar katër gola në tri paraqitje kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Pasi nuk e arriti kualifikimin në Ligën e Kampionëve përmes Ligue 1, shkaku edhe i anulimit para kohe të ligës franceze, Lyoni tani ëndërron ta sigurojë këtë pjesëmarrje si fitues i garës më prestigjioze të Evropës.
Për ta arritur këtë, fillimisht do të duhet ta mposhtë Bayern Munichun në gjysmëfinale e pastaj në finale fituesin e duelit mes Paris Saint-Germainit dhe Leipzigut.