Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas tha të martën se vendi i tij është kundër kërkesës së Greqisë që Turqisë t’i vendoset embargo armësh.
Kryediplomati gjerman i tha agjencisë së lajmeve DPA se ai mendon që embargoja e armëve ndaj Turqisë i duket strategjikisht jokorrekte.
“Nuk është e lehtë t’i bëhet kjo një anëtareje të NATO-s”, tha Maas, duke shtuar se Turqia mundi t’i blejë lehtë raketat nga Rusia, kur një gjë të tillë nuk e arriti nga Shtetet e Bashkuara, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Ai ritheksoi se beson që mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor mund të zgjidhen në mënyrë diplomatike. “Natyrisht, ne vazhdojmë të besojmë që ekziston një zgjidhje për konfliktin dhe se nuk duhet ta largojmë në mënyrë të përhershme një vend të NATO-s nga bashkëpunimi për armë”, tha Maas.
Greqia bëri thirrje për embargo të armëve nga BE-ja kundër Turqisë pas tensioneve në pjesën lindore të Mesdheut para samitit të udhëheqësve të BE-së më 10 dhe 11 dhjetor. Sidoqoftë, shumica e udhëheqësve të BE-së kundërshtuan këtë thirrje dhe sanksionet ekonomike.
Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë tensionuar muajve të fundit për shkak të eksplorimit të burimeve natyrore nga Turqia në ujërat e kontestuara të Mesdheut.