Një familje amerikane është ribashkuar me macen e tyre që ishte zhdukur shtatë vite më parë, duke e gjetur 4.023 kilometra larg shtëpisë.
Amber Davidson dhe fëmijët e saj e adoptuan macen e tyre, Dodger, në vitin 2016 nga një strehë në Clovis të Kalifornisë. Dy vjet më vonë, në vitin 2018, ndërsa familja po përgatitej të zhvendosej në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, Dodger u zhduk, duke lënë pas një boshllëk të madh.
Macja duhej të udhëtonte me një mik, i cili kishte qenë përgjegjës për transportimin e tij, por kafsha shtëpiake u zhduk para se të ndodhte udhëtimi. Kohët e fundit, megjithatë, ndodhi diçka krejtësisht e papritur. Davidson mori një mesazh ku thuhej se macja ishte gjetur dhe regjistruar nga Fresno TNR, një organizatë që punon për të kontrolluar popullatën e maceve endacake në zonën e Fresnos.
Macja u gjet në Madera të Kalifornisë dhe u çua për t’u sterilizuar, por veterinerët zbuluan se ai ishte kastruar tashmë dhe kishte një mikroçip. Pasi skanuan mikroçipin, vullnetarët gjetën informacionin e familjes dhe zbuluan se tani ata jetonin rreth 4000 km larg, në shtetin e Xhorxhias.
Sydney Sherman, një anëtare e organizatës, kontaktoi familjen dhe ofroi të transportonte Dodger, pasi ajo po udhëtonte për në Florida për një martesë. Kështu, u organizua ribashkimi, me Davidson dhe fëmijët e saj që udhëtuan shtatë orë me makinë për të takuar macen e tyre për herë të parë pas shtatë vitesh.

