“Për një kohë të gjatë, Evropa nuk ka ndërtuar autonomi strategjike. Kjo është beteja e kohës sonë”. Presidenti francez mori sërish rolin e vizionarit, pas kthimit nga Kina, ku kreu një vizitë treditore, në përpjekje për të hapur një rrugë diplomatike për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Unë mendoj se Kina ndan të njëjtin mendim me ne, që është se sot është koha e luftës”, tha kreu i Elysée-së në një intervistë për gazetën franceze “Les Echos”.
“Ukrainasit po bëjnë rezistencë dhe ne po i ndihmojmë. Nuk është koha për negociata, edhe nëse po përgatiten dhe duhet të hidhen themelet”, është konkluzioni që “ndanë” Franca dhe Kina, sipas Macron.
Por në një epokë tensionesh dhe rreziqesh gjeopolitike në rritje, Macron është i shqetësuar për Europën, e cila sipas tij duhet të qartësojë pozicionin e saj strategjik dhe të mos bjerë pre e trazirave botërore dhe “krizave që nuk janë tonat”.
Padyshim, në Europë ka dy elefantë në dhomë: Kina, natyrisht, por edhe Shtetet e Bashkuara. Por sipas tij, kontinentit të vjetër me këto të dyja mund t’i përkojnë shumë vlera dhe objektiva, por jo domosdoshmërisht interesa strategjike afatgjata.
“Ne evropianët duhet të zgjohemi”, kujton presidenti francez. “Prioriteti ynë nuk është të përshtatemi me axhendën e të tjerëve në asnjë rajon të botës”.
Sipas tij, sfida është hapja e një “rruge të tretë”.
“Nëse do të ketë një përshpejtim të shpërthimit të duopolit, ne nuk do të kemi as kohë dhe as mjete për të financuar autonominë tonë strategjike dhe do të bëhemi vasalë”, thotë ai duke paralajmëruar se Europa mund të bëhet Poli i Tretë i rendit botëror.
Macron i rikthehet autonomisë strategjike dhe ushtarake të Europës, një ide që ai e hodhi në fillim të mandatit të parë.
“Nuk duam të varemi nga të tjerët për çështje kritike. Ditën kur nuk do të kemi më zgjedhje në energji, mbrojtje apo inteligjencë artificiale, sepse nuk kemi më infrastrukturën e nevojshme, do të largohemi përkohësisht nga historia”, paralajmëron Macron.
“Ne kemi krijuar një fond evropian për raketat dhe municionet me një buxhet prej 2 miliardë eurosh. Është e qartë se ne kemi nevojë për një industri evropiane që prodhon më shpejt. Ne kemi ngopur stoqet tona. Nëse historia përshpejtohet, ekonomia evropiane e luftës duhet të përshpejtohet në të njëjtën kohë”, thotë ai.
Macron ka rezerva për SHBA-të, në nivelin financiar.
“Nuk duhet të varemi nga ekstraterritorialiteti i dollarit”.
Fjalë që tingëllojnë si muzikë në veshët e atyre që kontestojnë superfuqinë amerikane.