Rreziku më i madh për Europën është të përfshihet në kriza, që nuk janë tonat, tha në një intervistë, presidenti francez Emannuel Macron, në kthim nga vizita zyrtare 3 ditore në Kinë.
Europa duhet të reduktojë pavarësinë e saj nga Shtetet e Bashkuar dhe duhet me patjetër të shmangë përfshirjen në përballjen mes Kinës dhe SHBA, për Tajvanin, vazhdoi më tej Macron.
Në një bisedë të gjatë e të shtruar për “Politico” dhe 2 gazetarë francezë, me të cilët udhëtoi për 6 orë nga Pekini në Paris, Macron e vuri theksin te teoria e tij e “Autonomisë strategjike” për Europën, të udhëhequr nga Franca, për t’u bërë super-fuqia e tretë.
“Paradoksi do të ishte që ne, të kapur nga paniku, të besonim se jemi thjesht ndjekësit e Amerikës. Pyetja të cilës europianët duhet t’i përgjigjen është: A është në interesin tonë të përshpejtojmë një krizë në Tajvan? Jo. Më e keqja do të ishte të mendoje, se ne, europianët, duhet të bëhemi ndjekës në këtë çështje dhe të ndikohemi nga agjenda amerikane dhe kundër-reagimi kinez”.
Këto qëndrime të Macron vijnë pas një bisede të gjatë 4-orëshe, që ai zhvilloi kokë më kokë me homologun e tij të Kinës, Xi Jinping, ku jo pak vëmendje iu kushtua Tajvanit.
“Europianët nuk mund të zgjidhin krizën në Ukrainë, si mund të themi për Tajvanin: “Shikoni, po bëtë ndonjë gabim, ne do jemi aty”. Nëse qëllimi është të krijosh tensione, atëherë kjo është rruga”.
Macron flet edhe për autonomi financiare, nga dollari amerikan. “Nëse tensionet mes 2 super-fuqive rriten, ne nuk do të kemi as kohën e as burimet për të financuar autonominë tonë strategjike dhe do të shndërrohemi në vasalë”.
Në mbyllje të shkrimit, Politico pohon se disa citime të presidentit Macron, në lidhje me Tajvanin, ishin edhe më të forta e të drejtpërdrejta, por zyra e tij e shtypit I hoqi ato, si kusht për të publikuar intervistën.