Kryebashkiaku i Madridit ka treguar se është në bisedime për organizimin e finales së Ligës së Kampionëve këtë vit nëse zhvendoset nga Stambolli shkaku i krizës së koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Finalja e Ligës së Kampionëve ishte paraparë të mbahej në stadiumin “Ataturk” të Stambollit më 30 maj. Por garat u pezulluan në mars shkaku i pandemisë COVID-19. Liga e Kampionëve është ende në fazën e 1/8 së finales. Pritet të rifillohet në gusht.
“E di se po bëhen aranzhime dhe dua të them se komuna absolutisht e mbështet organizimin e finales së Ligës së Kampionëve në Madrid”, ka thënë kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinez përcjell gazeta “Marca”.
Nuk ka ndonjë njoftim për ndërrim të organizatorit të finales. Por, muajin e kaluar në New York Times ishte raportuar se ngjarja nuk do të mbahet në qytetin turk dhe po kërkohet alternativë.
UEFA ka caktuar një grup punues për të shikuar opsionet. Është njoftuar se më 17 qershor do të takohet Komiteti Ekzekutiv dhe do të ketë më tepër qartësi. Finalja do të mbahet pa shikues.