Në fillim të këtij muaji në qytetin siçilian të Messinas, u zhvillua një ceremoni mortore në kundërshtim të plotë të bllokimit mbarëkombëtar në Itali.
Nuk ishte një ceremoni e zakonshme funerali. Një grup i madh pjesëmarrësish po ecnin në heshtje në respekt të një pasardhësi 70-vjeçar tw një prej familjeve më famëkeqe mafioze.
Claudio Fava, presidenti i komitetit rajonal antimafia, e përshkroi atë si një “skandal të vërtetë, një fyerje për ata që humbën të afërmit e tyre në pandemi”.
Funeralet janë ndaluar në Itali që nga fillimi i marsit, si pjesë e një grupi më të gjerë kufizimesh që synojnë të frenojnë shpërthimin e Covid-19 që ka vrarë gati 23,000 njerëz deri të premten.
Zhvillimi i kësaj ceremonie mortore flet për fuqinë dhe pandëshkueshmërinë – të ushtruar nga Mafia në disa vende të Italisë.
Zyrtarë të lartë antimafias si dhe studiues i kanë thënë CNN se klanet mafioze tashmë po përfitojnë nga pandemia e koronavirusit, veçanërisht në jug të Italisë.
Ata po ofrojnë ndihmë të përditshme në lagje të varfra, duke ofruar kredi për bizneset në prag falimentimi dhe planifikojnë të nxjerrin fitime disa miliarda eurosh duke i grumbulluar në fonde stimulimi.
Dega më e fuqishme e mafies – Ndrangheta, me qendër në Kalabri – mendohet se kontrollon 80% të tregut evropian të kokainës. Edhe pse pandemia e bëri më të vështirë shpërndarjen, ajo përfitoi nga bllokimi.
Gazetari Roberto Saviano – autor i “Gomorrah: Mafia tjetër e Italisë”, një ekspozim i mafies së Camorras në Napoli – i tha CNN-it se “trafikantët përfituan nga [mungesa] e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit në porte, në aeroporte”. Kush po kontrollon më shumë? – pyet Saviano.
Shfrytëzimi i një nevoje të dëshpëruar për para cash
Por, grupet mafioze përfaqësojnë shumë më tepër sesa trafikimi i kokainës. Ata janë ngulur thellë në ekonomi.
Ndërsa aktivitetet tradicionale mafioze si zhvatja mund të vuajnë gjatë pandemisë, ka mundësi të reja, tha Anna Sergi, pedagoge me eksperiencë në kriminologji në Universitetin e Essex.
Franco Gabrielli, kreu i policisë italiane, tha se organizatat mafioze tashmë janë ngulitur thellë në pjesë të ekonomisë “që nuk janë bllokuar nga kufizimet e Covid-19: zinxhiri bujqësor-ushqimor, furnizimi me ilaçe dhe pajisje mjekësore, transporti rrugor, etj. “
Saviano e paraqet në CNN në këtë mënyrë “Shtëpi funerali ku ata investojnë, lavanderi spitalesh, kompanitë e pastrimit, në të cilat kanë investuar gjithmonë. Kompanitë e shërbimit, pikat e karburantit, ky është portofoli që ata kanë pasur për 10 vitet e fundit,”
I tillë është muskuli financiar i Ndranghetas, tha Franco Gabrielli javën e kaluar, – e cila mund të shfrytëzojë tashmë nevojën e dëshpëruar për para të gatshme të bizneseve që nuk i kontrollon aktualisht.
“Në fund të emergjencës, shoqatat kriminale mund të kenë ndotur ekonominë, duke kontrolluar edhe kompanitë, në të cilat ishin infiltruar më parë” tha ai.
Sergi thotë se krizat e kaluara kanë treguar se mafia mund të lëvizë më shpejt paratë jashtë sistemit bankar dhe të kërkojë më pak garanci sesa bankat. Huadhënia e parave për ndërmarrjet me probleme dhe pastaj gradualisht marrja e tyre nën kontroll është një taktikë mafioze e mirëorganizuar.
Nicola Gratteri, një hetues antimafia dhe kreu i zyrës së prokurorit publik në Catanzaro, i tha CNN se bizneset si restorantet dhe hotelet janë veçanërisht të prekshëm.
Recesioni i vitit 2008, ofron një krahasim të mprehtë. Grupet antimafia si SOS Impresa thanë që kriza e shndërroi Mafian në bankën më të madhe të Italisë. Grupi me seli në Palermo vlerësoi se në vitin 2012 mafia kishte 65 miliardë euro (72 miliardë dollarë) në likuiditet dhe e përshkroi huazimin e jashtëligjshëm si “një emergjencë kombëtare”. Në të njëjtën kohë, shumë banka italiane po përpiqeshin të qëndronin në jetë dhe të huazonin shuma parash nga Banka Qendrore Evropiane.
Saviano beson se pas krizës së koronavirusit, likuiditeti do të jetë “qendra e gjithçkaje”.
Organizata do të vijë në kompaninë në krizë dhe do të thotë: “Ne nuk duam të blejmë gjithçka, por do t’ju japim para në këmbim të aksioneve – për t’u bërë pjesë e kompanisë suaj”, tha ai. “Kjo është ajo, që ata do të bëjnë me të gjithë”.
Një shtet paralel
Në fund të muajit të kaluar, pamjet video të një çifti që po grindejnë dyert e një banke në qytetin jugor të Barit, u bënë virale. “Ju thithni, shteti thith. Si do ta menaxhojmë?” bërtiste gruaja.
Këto janë saktësisht llojet e rrethanave që mafia shfrytëzon. Ndrangheta dhe klanet e tjera nuk jetojnë thjesht në shoqëritë, ku ato janë të fuqishme. Ata ndërtojnë besnikëri duke furnizuar nevojat për lagjet e varfëra dhe ofruar para për bizneset në vështirësi.
Për Gratterin, kjo është “një metodë për të krijuar besnikëri. Nëse ne – shteti – nuk e tregojmë veten se jemi efikas, ajo që mund të ndodhë është se mafia do ta paraqesë veten si një model fitues, dhe ndoshta do të kërkojë kthim të favoreve në zgjedhje elektorale”.
Zora Hauser, studiuese për krimin e organizuar në Universitetin e Oksfordit, tha se “ajo që ne po shohim – dhe do të shohim gjithnjë e më shumë ndërsa shpaloset kriza ekonomike dhe sociale – është kthimi i grupeve mafioze në biznese kryesore të mbrojtjes dhe qeverisjes.”
Salvo Palazzolo, gazetar në gazetën La Repubblica, u kërcënua nga dikush me lidhje mafioze pasi raportoi në lidhje me mallrat ushqimore në zonën e varfër “ZEN” të Palermos në Siçili.
Në këtë moment, familjet mafioze të Palermos [Cosa Nostra] janë shumë të forta, veçanërisht në medikamente dhe lojërat e fatit në internet. Ata kanë shumë likuiditete,” – tha Palazzolo për CNN.
“Unë do të thoja se Cosa Nostra po forcon kontrollin e saj përmes ndihmave të jetesë për familjet që janë në burg, dhe tani kjo po përhapet në të gjitha familjet e varfra. Ata duan të tregohen si një alternative e shtetit”.
Në një zonë tjetër të Palermos, një bos lokal i mafies u përpoq të organizonte në kishë shërbimin e të Premtes së Mirë, në kundërshtim të masave të bllokimit përpara se policia të ndërhynte.
Kriminologia Anna Sergi thotë se mafia kërkon që komuniteti ta pëlqejë dhe t’i duhet.
Qeveria është në dijeni të rrezikut. CNN mori një letër të shkruar nga Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese për udhëheqësit rajonalë duke paralajmëruar se organizatat kriminale do të përpiqeshin të përdornin “format e mbështetjes” për të fituar popullaritetin.
Ndërsa, Zora Hauser shprehet: “Kjo mund të shihet nga organizata në mënyra të ndryshme, por më shqetësuese janë votat”.
Qeveria ka krijuar një fond prej 400 milion eurosh (435 milion dollarë) për ndihmën ushqimore si dhe caktoi 4.3 miliardë euro të tjera (4.8 miliardë dollarë) për kryetarët lokalë.
Siç premtoi Kryeministri Giuseppe Conte më 28 Mars: “Ne e dimë që shumë vuajnë, por shteti është aty”.
Por, është një sfidë marramendëse. Saviano thotë se gjatë kësaj krize, mafia do të përpiqet të punësojë “të papunët e rinj” si ushtarët e saj. Sipas anketave të shumta rreth tre milion italianë punojnë “në të zezë”. Studimi i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në 2017 vlerësoi se një e katërta e italianëve të moshës deri në 20 vjeç nuk ishin as të punësuar, as në arsim apo trajnim.
Bonuset stimuluese
Kthimi i Italisë në normalitet është përparësia e qeverisë, e cila do japë mbështetjen prej 750 miliardë euro (815 miliardë dollarë) në ekonomi.
Një pjesë e investimit është të garantojë kredi për bizneset – duke mbuluar më shumë se tre të katërtat e huamarrjes së kompanive të mëdha. Por, duke pasur parasysh shumat masive që do shpërndahen, hetuesit antimafia janë të shqetësuar se disa nga ato kredi, si dhe mbështetje të tjera, do të shkojnë në bizneset e drejtuara nga mafia.
Italia gjithashtu dëshiron “koronabondin”, evropian, në thelb një bashkim borxhi midis vendeve anëtare të BE-së. Komentatori gjerman, Christoph Schiltz, i kërkoi kancelares gjermane Angela Merkel të refuzojë idenë, duke shkruar në gazetën Die Ëelt se “mafia thjesht po pret një pastrim të ri parash nga Brukseli”.
Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio i përshkroi komentet e Schiltz si “të turpshme dhe të papranueshme”.
Saviano tha: “Fondet evropiane sot ndihmojnë ekonominë italiane që është në gjunjë. Dhe një ekonomi e gjunjëzuar italiane do të thotë se Italia është në mëshirën e krimit të organizuar”.
Nuk është vetëm problemi i Italisë. Tentakulat e mafies janë përhapur në Evropë dhe më gjerë. Ndrangheta ka një rrjet të gjerë evropian për shpërndarjen e drogave, shpesh duke përdorur restorante e piceri si fronte. Ka investuar edhe në prona të paluajtshme.
Tani për tani, kontrollet e përforcuara kufitare dhe bllokimet në mbarë vendin po mbytin rrjetet e shpërndarjes së drogës. Por si koronavirusi, grupet mafioze nuk janë respektues të kufijve. “Mafia është shumë e fuqishme edhe në Gjermani”, tha Roberto Saviano. “Ata godasin më pak, por janë shumë të fuqishëm”.
Në fillim të këtij muaji, Papa Françesku u lut për “njerëzit që gjatë kësaj kohe të pandemisë, tregtojnë në kurriz të nevojtarëve dhe përfitojnë nga nevojat e të tjerëve, si Mafia dhe të tjerë”. “Zoti le të prekë zemrat e tyre dhe t’i ndryshojë”, tha Papa.
Historia, si dhe provat aktuale, sugjerojnë se ai mund të zhgënjehet. (CNN)