Personat që shihni në foton e mësipërme janë shtetasit Xhoi Zina, 25 vjeç dhe Angjelina Koçi, 22 vjeçe, çifti i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Warehouse” për zbulimin e një magazine droge në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se Xhoi Zina dhe Angjelina Koçi ishin të fejuar, teksa dyshohet se me një automjet tip “Toyota Yaris” kanë marrë një sasi droge kanabisi nga Sukthi dhe e kanë transportuar për tek magazina në rrugën “Myslym Keta”, që kishte veprimtari në prodhimin e paletave të drurit. Droga ishte e ndarë në disa pako dhe e futur në një valixhe.
Magzina ndodhej pranë zonës së Tufinës, në pronësi të Astrit Kuqit, babait të 21-vjeçarit Redion Kuqi, i cili po ashtu u arrestua si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër Ardit Citaku, 22 vjeç, mësohet se kishte rolin e rojës së magazinës, për të mos u vjedhur malli. Ai gjithashtu shoqëronte çiftin e të fejuarve kur transportonin drogën nga Sukthi në Tiranë.

Në momentin e ndërhyrjes së efektivë të Komisariatit nr. 4, brenda magazinës, bashkë me Ardit Citakun, është gjetur edhe shtetasi Erdi Gjiriti, 37 vjeç, të cilit i është gjetur një sasi lënde narkotike kokainë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për mediat se pesë të arrestuarit kanë pranuar akuzat dhe kanë treguar skemën që përdornin për aktivitetin kriminal.
Grupi hetimor dyshon se ata janë përfshirë në trafikun e drogës prej të paktën një viti. Lënda narkotike dyshohet se të rinjtë e siguronin nga një grup kriminal në Sukth dhe, pasi e sillnin në magazinën në Tufinë, e përgatisnin për shpërndarje në doza më të vogla.
Ndërkohë, në magazinë është gjetur edhe një armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesën e 25-vjeçarit Xhoi Zina, është gjetur edhe një armë zjarri pistoletë dhe dy armë të ftohta
“Në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit Redion Kuqi, me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë. Nga hetimet dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga shtetasi Xhoi Zina, në bashkëpunim me shtetasen Angjelina Koçi.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit Ardit Citaku dhe Erdi Gjiriti. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi Erdi Gjiriti iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xhoi Zina, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet bëjnë me dije se kanë sekuestruar 9 kilogramë Cannabis Sativa, sasi Kokaine, dy armë zjarri, dy armë të ftohta, dy automjete, 6 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Policia tha se hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Gjithashtu, Policia ka publikuar edhe pamjet e aksionit, momentin e ndërhyrjes në magazinë dhe kapjen brenda saj të dy personave.