“Britanikët po vërshojnë në një vend të rrallë mesdhetar të quajtur “Maldivet e Evropës”, ku kostoja e jetesës është më e lirë se në Britaninë e Madhe dhe ku 300 ditët e vitit janë me diell”, shkruhet në artikullin e publikuar në të përditshmen britanike “MailOnline”.
Britanikët në kërkim të destinacioneve të përballueshme po zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, një shtet ish-komunist i rrethuar nga detet Adriatik dhe Jon, dhe i konsideruar si më i bukur e shumë më i lirë se Greqia. Popullariteti i vendit mesdhetar është rritur, duke u shndërruar në një destinacion pushimesh, me mbi 100 mijë vizitorë britanikë që udhëtojnë atje çdo vit.
Si një nga destinacionet më të lira në Evropë, Shqipëria ka tërhequr, kryesisht vëmendjen e pensionistëve, falë kostos së ulët të jetesës, atmosferës së qetë, peizazheve mahnitëse dhe vendasve miqësorë që mirëpresin vizitorët e huaj, ndryshe nga çfarë po ndodh në disa vende të njohura të Evropës Perëndimore.
Moti i mirë, akomodimet e lira dhe interneti me shpejtësi të lartë e bëjnë Shqipërinë, vendin e përsosur për të punuar në distancë, sipas sipërmarrësve të rinj. Ndër ata që kanë zgjedhur një jetë të re në Shqipëri është Chris Knight, së bashku me partneren e tij Suzy, duke blerë një shtëpi ëndrrash në janar 2023.
“Duke parë perëndimin e diellit nga shtëpia jonë e re në Sarandë pasi zbulova një plazh të fshehur, ndihem vërtetë shumë me fat dhe shumë i bekuar. Të jesh anglez është shumë e vështirë të kuptosh se sa miqësor dhe ndihmues është populli shqiptar. Do të na pëlqejë jetesa këtu”.
Pas vendimit për t’u zhvendosur në Shqipëri, dy vjet më parë, Chris është angazhuar në komunitetin lokal të emigrantëve, duke përfshirë një organizatë bamirësie lokale për shpëtimin e kafshëve. Gjithashtu, ai ndan rregullisht foto të perëndimit të diellit mahnitës në mediat sociale dhe komente duke vlerësuar ndershmërinë dhe miqësinë e vendasve, si dhe çmimet e përballueshme, përfshirë një vakt mëngjesi për dy persona për vetëm 8,50 paund.
Ai postoi fotot e menusë së restorantit buzë detit. Pjata me kallamar të pjekur në skarë kushtonte 10 paund, bërxolla derri 6,75 paund dhe pica varionte nga 5,89 paund deri në 12,63 paund. Birra dhe vera shiteshin për 2,50 paund.
Një vizitë te dentisti për një mbushje i kishte kushtuar vetëm 35 paund krahasuar me çmimet në Britani e që arrinin deri në 240 paund për të njëjtin trajtim.
“Shqipëria është një nga vendet më të lira në Evropë. Nëse keni akses në internet dhe flisni anglisht, mundësitë janë të pafundme”, tha një tjetër britanik, Volky, i cili ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar.
Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një destinacion popullor për pushuesit britanikë, me më shumë se 120 mijë vizitorë britanikë çdo vit që tani vizitojnë vendin ballkanik. Një vakt mesatar për dy persona në një restorant të nivelit të mesëm në Shqipëri kushton vetëm 29 paund në total, ndërsa një birrë kushton mesatarisht 1,67 paund, sipas një hulumtimi të kryer nga “MailOnline”.
Qytetet më të lira për një vakt që kushton vetëm 21 paund për dy persona janë Shkodra dhe Vlora. Ndërsa një birrë në Berat kushton vetëm 80 qindarka. Të dhënat e përpiluara nga databaza e kostos së jetesës “Numbeo” zbuluan gjithashtu se kryeqyteti, Tirana është vendi më i shtrenjtë për një vakt jashtë, 33 paund për dy persona, ndërsa një birrë kushton 1,70 paund.
Shqipëria ka një popullsi prej 2,7 milion banorësh dhe është një destinacion relativisht i pazbuluar për britanikët ndërsa italianët, aktualisht përbëjnë numrin më të madh të turistëve. Shqipëria është me diell 300 ditë në vit, me temperatura të ngrohta deri në nëntor dhe plazhe mahnitëse që janë konsideruar si “Maldivet e Evropës”.