Një operacion i gjerë antimafia u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së premtes në Romë, ku karabinierët e Komandës Provinciale, nën drejtimin e Drejtorisë së Distriktit Antimafia, ekzekutuan një urdhër të Gjykatës së Romës për arrestimin e 14 personave të dyshuar për aktivitete të rënda kriminale.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit akuzohen për tentativë vrasjeje, mbajtje dhe posedim të paligjshëm armësh, zhvatje të rënduar me metodë mafioze, si dhe tentativë rrëmbimi. Disa prej tyre dyshohet se kanë vepruar për të favorizuar aktivitetet e të ashtuquajturit “klani Senese”, grup i njohur i kriminalitetit të organizuar me bazë në Romë.
Ndër të ndaluarit janë emra të njohur për drejtësinë italiane, si Angelo Senese (vëllai i Michele Senese), Ettore Abramo i njohur si “Pluto”, Girolamo Finizio, si dhe vëllezërit Alvise dhe Leopoldo Cobianchi.
Hetimet, të zhvilluara nga Njësia Hetimore e Romës dhe të koordinuara nga Drejtoria Antimafia, kanë zbuluar prova lidhur me dy tentativa vrasjeje, një tentativë rrëmbimi, si dhe aktivitet të shtrirë të trafikut të drogës. Në qendër të dosjes ndodhet edhe një rast zhvatje në një argjendari në kryeqytet, ku përplaseshin interesat e klanit “Di Lauro” nga Napoli dhe atij “Senese”.
Një kriminel nga Roma pretendonte nëpërmjet mashtrimit se vepronte si i dërguar i familjes “Senese”, gjë që çoi në reagim të dhunshëm të dy grupeve dhe në kërkesa “kompensimi”. Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë operacion si një ndër goditjet më të forta ndaj rrjeteve mafioze që operojnë në Romë dhe në zonat përreth.




