Këshilli i Sunduesve të Malajzisë vendosi sot të mbështesë liderin e opozitës Anwar Ibrahim si kryeministrin e 10-të të vendit.
Vendimi vjen pas takimit të Këshillit të Sunduesve prej 9 anëtarësh, të udhëhequr nga Mbreti Al-Sulltan Abdullah Ri’ayatuddin Al-Mustafa Billah Shah, në Kuala Lumpur pas disa ditësh bllokade politike.
Ish-zëvendëskryeministri 75-vjeç, Anwar Ibrahim do të betohet sot si kryeministër i Malajzisë në orën 17:00 sipas kohës lokale, raportoi uebfaqja e lajmeve “Malaysiakini”.
Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 15-ta në Malajzi, të cilat u mbajtën më 19 nëntor, nxorën fitues “Aleancën e Shpresës” ose Pakatan Harapan (PH), të udhëhequr nga Ibrahim, duke siguruar shumicën e vendeve në parlament, por jo për të formuar qeverinë e vetme.
PH siguroi 82 vende ndërsa ish-kryeministri Muhyiddin Yassin, Aleanca Kombëtare ose Perikatan Nasional (PN) mori 73 vende.
Mbreti u takua me dy liderët të martën dhe sugjeroi një qeveri uniteti, por Yassin e refuzoi atë.
Më vonë, monarku thirri 8 anëtarë të tjerë të Këshillit për një takim herët sot për t’i dhënë fund bllokadës.
Mbështetja nga Fronti Kombëtar ose Barisan Nasional (BN), me 30 ligjvënës, shihet të jetë një faktor vendimtar në strukturën e re.
Blloku tjetër i Aleancës së Partive Sarawak ose Gabungan Parti Sarawak (GPS) me 23 vende kishte treguar se do të mbështeste grupin e udhëhequr nga Yassin, por ishte i pavendosur.
Secila parti apo aleancë do të duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 112 deputetëve në Dhomën prej 222 vendesh për të fituar kreun e Parlamentit.