Një panik për grumbullimin e furnizimeve ka përfshirë pjesë të Alaskës, teksa rreth 300,000 banorë po përgatiten për një shpërthim të mundshëm vullkanik të malit Spurr, vetëm 130 kilometra larg nga Anchorage.
Kujtimet e shpërthimit të vitit 1992 janë ende të freskëta për shumë banorë, të cilët kanë nisur të blejnë gjithçka, nga shirit ngjitës për izolim, tek syze noti, tapa veshësh, maska N95, si dhe ushqime, ujë e rezerva për kafshët shtëpiake.
Cloe Turner, banore e Eagle River, shpenzoi 415 dollarë, duke blerë ushqime, bateri dhe pajisje mbrojtëse. “Mund të mos punojmë dhe dyqanet mund të mbyllen. Herën e fundit, qyteti u mbulua me hi për një muaj të tërë,” tha ajo.
Observatori Vullkanologjik i Alaskës (AVO) raportoi se “paqëndrueshmëria vullkanike vazhdon,” duke përmendur rreth 55 tërmete vetëm javën e fundit. Sipas shkencëtarëve, kjo tregon se magma po ngrihet nëntokë, duke shkaktuar çarje në shkëmbinj, shkruan A2 CNN.
Në rrjetet sociale, banorët ndajnë përgatitjet e tyre. Një përdoruese në TikTok, me emrin @FreezeDrySociety, postoi një video nga Walmart duke blerë “gjëra të çuditshme, por të zgjuara,” për të mbrojtur familjen nga hiri vullkanik.
Ajo tregoi se kishte blerë shirit ngjitës blu për të izoluar shtëpinë, syze noti për mbrojtje të syve, tapa veshësh, çantë Ziploc për pajisjet elektronike, çorape najloni për të mbuluar filtrat e makinës, si dhe maskat N95.
Sipas ekspertëve të Rrjetit Ndërkombëtar për Rreziqet Shëndetësore nga Vullkanet (IVHHN), hiri vullkanik mund të shkaktojë irritim në sy, hundë dhe fyt, si dhe probleme serioze për ata me asmë apo sëmundje pulmonare.