Mëngjesin e së dielës janë hapur qendrat e votimit për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Rreth 550 mijë malazezë kanë të drejtë vote deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.
Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidatët për postin e presidentit për një mandat pesëvjeçar janë Millo Gjukanovici dhe Jakov Millatovici.
Gjukanoviç është lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.
Ndërsa, Jakov Millatoviç është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë që më pak se tri vjet.
Të drejtën për votuar për njërin prej tyre kanë 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues.
Fitues në raundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale do të jetë kandidati që do të fitojë numrin më të madh të votave nga zgjedhësit. Mandati i presidentit do të zgjasë pesë vjet.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak, raporton Rel.
Rregullsia e procesit zgjedhor do të monitorohet nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik.