Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në parlament se nëse do të përballemi me numra të lartë të Covid, atëherë do të vihemi përballë vendimit për të zgjedhur se kush do të kurohet i pari me frymëmarrje të drejtuar (oksigjen përmes aparatit).
Manastirliu: Ajo që ne mund të bëjmë është të respektojmë rregullat më të thjeshta. Masat që jemi duke ndërmarrë sa i përket parandalimit dhe testimit shkojnë në këtë drejtim për të siguruar që të frenojmë pandeminë nëpërmjet respektimit të rregullave duke mos i lënë asgjë mangut një trajtimi të mirëfilltë. Nëse do kemi mbingarkim të spitaleve do përballemi me zgjedhje se kush do të trajtohet i pari me frymëmarrje të drejtuar. Akti i sotëm drejton vëmendjen drejt zbatimit të masave. Ka ardhur momenti të bëjmë më të mirën tonë për të mundur këtë pandemi. Beteja më e parë që duhet të fitojmë është beteja shëndetësore.
Lexo Edhe:
Rama- naftëtarëve: Ju presim në biseda sapo të lini grevën! Mos u gënjeni nga lotët e krokodilëve
Ministrja shtoi se së shpejti për Covid do të vihen në punë dhe dy spitalet e bëra gati gjatë këtyre muajve në Tiranë dhe se po shihet mundësia që edhe në spitalet e rretheve të ketë shërbime dedikuar pacientëve me Covid.
Më tutje Manastirliu tha se do të sillet edhe shërbimi i testimit të shpejtë.
Manastirliu: Nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi të përfshijmë dhe testin e shpejtë, atë të antigjenit. Do t’i qëndrojmë deri në fund që do të shtojmë kapacitetet spitalore, duke vendosur 4 struktura në Tiranë dhe duke përfshirë gjatë dimrit edhe spitalet rajonale. Që e gjithë sakrifica e bërë të mos shkojë kot duhet që të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë luftë. Të gjitha masat që po ndërmarrim shkojnë në funksion të frenimit të përhapjes së virusit. Nuk duhet të shkojmë në mbingarkimin e sistemit shëndetësor, ndaj masat që jemi duke ndërmarrë sigurojnë që të mundemi të frenojmë epideminë. Por nëse nuk respektohen masat do të përballemi me kushtet se kush do të trajtohet i pari
Manastiliu hodhi dhe akuza në drejtim të Lulzim Bashës dhe planit të prezantuar prej tij për menaxhimin e situatës Covid në Shqipëri.
Manastirliu: Drejtori i OBSH thoshte para disa ditësh se atje ku ka pasur përçarje politike është vënë një mungesë respekti për shkencën. E kam përsëritur thotë ai: Ndaloni përdorimin e Covid-19. Këtu pandemia po përdoret politikisht duke u bërë ping pong politik duke luajtur në tavolinat e vogla të partisë. Ne nuk kemi ndalur për asnjë moment punën shumë sfiduese. Ata u zgjuan papritur pas pushimeve verore dhe fillojnë recitojnë përditë të njëjtin tekst. Stafet tona kanë 8 muaj që rrezikojnë jetën ndërsa ata kërkojnë 4 pika nga plani me 5 pika. Këtu te ne bëhet ping pong politik.
Sot bërtasin në facebook ndërsa në shkurt i bënin thirrje popullit të Kavajës të ngrihen se do ju sjellin karantinën. Nuk e dinë që çdo vendim bazohet mbi mendimin e komiteti ekspertësh.