Manchester United është i hapur për shitjen e mesfushorit të ri Kobbie Mainoo gjatë kësaj vere, nëse arrin një ofertë që përmbush kërkesat e klubit.
Sipas Team Talk, drejtuesit e United kanë caktuar një çmim prej 70 deri në 80 milionë funte për të lejuar largimin e talentit 19-vjeçar.
Tottenham Hotspur është klubi më i interesuar dhe tashmë ka pyetur për mundësinë e transferimit, duke ndjekur nga afër zhvillimet rreth kontratës së lojtarit.
Mainoo është aktualisht në negociata të vështira me klubin, ndonëse kontrata e tij zgjat deri në qershor 2027. Ai thuhet se fiton rreth 25,000 funte në javë dhe kërkon një rritje të ndjeshme.

Nga ana tjetër, Manchester United po përpiqet të reduktojë shpenzimet për pagat, çka e ka komplikuar situatën dhe ka nxitur spekulime për një largim të mundshëm.
Përveç Tottenhamit, edhe Chelsea është futur në garë dhe po monitoron situatën nga afër, në pritje të një hapjeje konkrete nga United.
Ky ngërç kontraktual mund të përfundojë me shitjen e Mainoos, ndërsa Spurs dhe Chelsea po përgatiten për të bërë ofertat e tyre në ditët në vijim.