Albania
Manipulime, zhvatje dhe pengmarrje: Grupi kriminal pas ‘Shqipërisë digjitale’ të Ramës
Paraditen e 12 gushtit 2025, Gerond Meçe, aksioner i një kompanie të teknologjisë në Tiranë, zbriti si zakonisht nga apartamenti i tij me një çantë të zezë në dorë dhe një çantë të dytë në shpinë. Pasi bëri pak hapa në drejtim të makinës së tij të parkuar, ai hapi bagazhin dhe po sistemonte çantat, kur një fuoristradë e zezë “Range Rover Defender” me xhama të errët i preu rrugën dhe u ndal pranë tij.
Nga fuoristrada zbriti një burrë i veshur me uniformë blu me mbishkrimin “BKH” dhe i thirri në emër.
“Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne,” i tha ai duke hapur derën e pasme të makinës. I bindur se po thirrej nga organet e drejtësisë, Meçe nuk bëri rezistencë. Por iluzioni i ndalimit nga SPAK zgjati vetëm pak minuta.
Sapo makina u largua nga zona e banuar, “oficerët” i vendosën Meçes një kapuç të zi në kokë dhe morën rrugën e vjetër të Krrabës në drejtim të Elbasanit. Në rrënojat e një godine të braktisur në afërsi të fshatit Graçen, maskat ranë dhe jelekët e BKH-së u zëvendësuan me pistoleta të drejtuara në kokë.
Pengmarrësit e Gerond Meçes, që SPAK i lidh me organizatën kriminale “Çopja”, i dorëzuan atij një zarf të bardhë që përmbante një tabelë në Excel me një listë të detajuar tenderash publikë, procedura të ankimuara nga kompania e Meçes, “Advanced Business Solutions” ABS, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP.
“E njeh këtë letër?”, e pyetën rrëmbyesit. Mesazhi ishte i qartë: Tërhiqu. “Në të kundërt ke plumbin në kokë”.
Ultimatumi zbuloi se pas rrëmbimit mafioz fshihej lufta për milionat e tenderave publikë në fushën e teknologjisë, kryesisht të prokuruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe rivalin e Meçes në biznes, Ermal Beqirin për organizimin e pengmarrjes së tij me qëllimin zhdukjen e një pengese në kontrollin e tenderave me vlerë dhjetra milionë euro të AKSHI.
Hetimi është shumë më i gjerë dhe nxjerr në sipërfaqe simbiozën mes krimit të organizuar dhe drejtueseve të AKSHI në shpërndarjen e tenderave të teknologjisë; për të mundësuar përzgjedhjen e fituesve dhe devijimin e dhjetra milionë eurove në llogaritë e Ergys Agasit – një ish funksionar publik i dorës së dytë, i akuzuar nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si koordinatori i Ramës me krimin e organizuar.
Përveç Agasit dhe Beqirit, Prokuroria e Posaçme akuzon drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të AKSHI.
Vendimi i gjykatës për masë sigurie sugjeron se Agasi komandonte dyfishimin e kostove për tenderat publikë, eliminonte përmes kërcënimit dhe korrupsionit rivalët dhe menaxhonte pastrimin e parave përmes një kompanie fiktive dhe një distributori çokollatash të lira turke.
Të dhënat e SPAK dëshmojnë se vetëm në periudhën dhjetor 2024 – shtator 2025, kompania e dyshuar fiktive në pronësinë e Agasit, EA Solution, arkëtoi rreth 29 milionë euro nga kompani që fituan tendera të AKSHI-t.
“Të gjitha sa sipër, krijojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se, personat nën hetim Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë kryer veprat penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, citohet në vendimin e GJKKO prokurori Bledar Maksuti, i cili po heton dosjen.
Agasi e Beqiraj janë tashmë në arrati dhe nuk qenë të arritshëm për koment, ndërsa studioja ligjore “Beçi & Partners” që po mbron drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj tha se do të ketë një qëndrim pasi të njihet me materialet e dosjes.
“Modus operandi”
Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masë sigurimi e bën të qartë që grupi nën menaxhimin e Agasit nuk e kishte për herë të parë që përdorte dhunën për të futur duart në fondet publike.
Për të ilustruar mënyrën e operimit, prokurori përmend një ngjarje të pahetuar të vitit 2019 me personazhe ish-deputetin e dënuar në aferën e inceneratorëve, Alqi Bllako dhe Agasin që kishin në shenjestër një koncesion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pengesa në këtë rast, sipas vendimit, ishte ministri i kohës, Damian Gjiknuri dhe Agasi i shkruante Bllakos: “Do ja q* robt, do fusim çunat pastaj”, duke nënkuptuar ndonjë grup kriminal.
Prokuroria thotë se ky rast ilustron “modus operandi” të Ergys Agasit.
“Kjo rrethanë lidhet dhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, pasi ai gjithashtu si në rastin e shtetasit Damian Gjiknuri, kishte krijuar “pengesa”, nëpërmjet ankimimeve të shumta pranë KPP-së,” arsyeton Prokuroria.
Dosja hetimore shkon përtej përdorimit të dhunës, që ishte akti i fundit në mekanizmin e përvetësimit të fondeve publike. Sipas vendimit, Agasi regjistronte bisedat me ortakët dhe zyrtarët publikë në zyrën e tij pranë “Vesa Center” në Tiranë – regjistrime që ndodhen tashmë në duart e SPAK.
Prokuroria liston dhjetëra screenshot nga video të sekuestruara në zyrën e Agasit, ku flitet për fiksimin e tenderave publikë.
Në bisedat e cituara në dosje, Agasi cakton kriteret e tenderave dhe po ashtu haptazi fryn fondet limit që duhen për kryerjen e punëve. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes tij, Karçanajt dhe Beqirajt, Agasi citohet të thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.
“Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre,” arsyeton prokuroria.
Edhe dëshmitë e marra nga punonjësit e AKSHI dhe të dhënat nga dokumentacioni për tenderat, provuan sipas prokurorisë se vlerat e tenderave fryheshin dhe kur ishte e nevojshme tenderat fshiheshin pas emërtimeve “sekret” dhe “të klasifikuar”. Duke iu referuar kësaj situate, prokurori citon edhe biznesmenin nën hetim Gëzim Hoxha, i cili ka pranuar në dëshmi se një projekt për të cilin ai paguante EA Solution të Agasit si bashkëpunëtor, kostoja ishte vetëm sa gjysma e vlerës.
“Duke u nisur nga vlera e fondit limit dhe shpenzimeve të mia, mund të them se kanë qenë rreth 50% e vlerës, për blerjen e këtyre moduleve ose si shpenzime në tërësi…”, citohet Hoxha.
Në dosje identifikohen 19 procedura tenderimi ku dyshohet se grupi ka futur duart në një formë apo një tjetër. Prokurori i ndan ato në tre kategori; procedurat e shpallura në kohën e takimeve mes Agasit, Karçanajt dhe Beqirit; procedurat e prokurimit për të cilat Gerond Meçe u detyrua të tërhiqej nga ankimet si dhe procedurat për të cilat dyshohet se janë bërë pagesa fiktive në drejtim të subjektit “EA Solution” sh.p.k., në pronësi të Agasit.
Bazuar në vlerat e përmendura në vendimin e gjykatës dhe dokumentet për tenderat që gjenden online, vlera e këtyre kontratave pa TVSH është rreth 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro.
Prokuroria thotë se tenderat manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.
“Nga analiza e këtyre dy procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cilave, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thotë prokuroria duke iu referuar procedurave nën hetim.
Pagesa fiktive për çibukë e çokollata
Në hallkën e fundit, Prokuroria thotë se ka zbuluar se përtej manipulimit të procedurave, palët në proces u përfshinë në pastrim parash dhe faturime fiktive.
Edhe pse Agasi rezulton pronar i EA Solution, kjo e fundit funksionon brenda zyrave të kompanisë së Beqiraj dhe asnjë prej punonjësve të pyetur nuk e di që Agasi është pronar dhe as që punojnë për këtë kompani.
Punonjësit thonë se u intervistuan nga “Soft&Solution” dhe ishin habitur që rezultonin në listpagesat e EA Solution. Vetë administratorja e kompanisë së Agasit pranon se punëtorët e tyre menaxhoheshin nga burimet njerëzore të kompanisë së Beqirit.
Pasi mori në më pak se një vit 29 milionë euro nga kompanitë e Beqirit, Papës dhe Hoxhës, kompania EA Solution shpenzoi vetëm 30 mijë euro për blerjen e një makine luksoze, duke dëshmuar se nuk kishte aktivitet real.
Në një operacion paralel për transferim dhe pastrim parash, në skemë është përfshirë edhe një kompani import-eksporti nën pronësi të Rogers Rrytës.
Kompania ka aktivitet të kufizuar në importin e veshmbathjeve dhe produkteve ushqimore nga Turqia. Vetë aksioneri e pranon se praktikisht ajo sjell dhe shpërndan çokollata e çibukë. “Gjatë kohës që ka qenë administrator i kompanisë ka pasur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. për tregtimin e çokollatave dhe biskotave”, citon prokuroria deklarimin e Rrytës.
Por çuditshëm, kompania ka kontrata mbi 10 milionë euro për “zgjidhje teknologjike” dhe “për aplikacione kompjuterike”.
Administratori i “Fastech”, Andis Papa është i bindur që nuk ka blerë çibukë nga kjo kompani, edhe pse ajo nuk shet tjetër gjë.
“Shtetasi Andis Papa u pyet edhe lidhur me bashkëpunimet me shoqërinë “Mega Distribution” sh.p.k., për të cilën ai deklaroi se: “…Po, kam bashkëpunuar përpara vitit 2020, kam bashkëpunuar me këtë shoqëri, gjithnjë në fushën e teknologjisë dhe informacionit…””, citohet Papa.
Shteti digjital në duart e krimit
Pengmarrësit e veshur me uniforma të sajuara policie që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe nuk janë identifikuar ende, por hetimet gjetën se makina që ata përdorën i përket kompanisë Merkaj 3 sh.p.k. në pronësi Endri Merkaj. Për SPAK, ky i fundit dhe vëllai i tij Klajdi Merkaj, nuk janë figura të panjohura.
“Nga burimet e hapura është verifikuar fakti se shtetasi Endri Merkaj, së bashku me vëllain e tij Klajdi Merkaj, janë lidhje me interes të shtetasve Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, pjesë e grupit kriminal “Çopja,”, thuhet në dosjen hetimore.
Klajdi Merkaj është dërguar ndërkohë për gjykim në një procedim të lidhur me vëllezërit Çopja dhe akuzohet se kreu pastrim parash për llogari të tyre duke përdorur kompanitë e tij të ndërtimit.
SPAK thotë se kjo nuk qe e vetmja lidhje mes palëve, sepse në zyrën e Agasit u sekuestruan kontrata shitjeje pasurish të paluajtshme që po ashtu të çonin te lidhja dhe kontakti me Çopjat.
“Këto të dhëna, në përputhje dhe me deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, i cili shpjegon se ka konstatuar se dy nga personat që e kishin rrëmbyer kishin dialekt nga zona e Elbasanit, madje njëri prej tyre i kishte thënë se po ta shihte në Elbasan, do ta përshëndeste”, thuhet në dosje.
Në dëshmitë e marra nga SPAK, Andis Papa, administratori i kompanisë “Fastech” pretendon se nënshkroi kontrata me vlerë mbi 1.5 milion euro me kompaninë EA Solution të Agasit, pa takuar kurrë qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të kësaj kompanie. Tenderat e fituar nga Beqiri dhe Papa prekin drejtpërdrejt infrastrukturën kritike digjitale.
Të 19 tenderat që janë nën hetim prekin drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë qytetarët, pasi kanë të bëjnë me dokumente identifikimi, nënshkrimin digjital e të ngjashme, deri te siguria ushqimore e ajo e barnave. Ndërkohë, këtyre kompanive u është dhënë akses dhe u është lejuar të ndërtojnë sisteme për sigurinë e burgjeve apo sisteme të Policisë së Shtetit.
Sipas hetimeve të SPAK, të gjithë tenderat sensitivë u lanë në duart e një grupi, që kur mori peng Meçen përcolli mesazhin: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti”.
BIRN
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania6 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania6 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania7 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK5 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota6 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova7 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
