Duke e marrë parasysh se numri i rasteve të reja nga koronavirusi është në rritje, Civil i bën thirrje Qeverisë të sjellë vendim për ndalesë të tërësishme të punës gjatë orës policore gjatë uikendit të vazhduar.
Numri i rasteve të reja nga koronavirusi është në rritje pikërisht mes të punësuarve në sektorin privat, veçanërisht në industrinë e tekstilit. Civil përmes kumtesës i bën thirrje Qeverisë të marrë vendim të ashpër për punën në Shtip, por edhe në komuna tjera (Shkup, Kumanovë, Tetovë…) ku shënohet rritje e numrit të bartësve dhe të sëmurëve nga koronavirusi.
Siç citohet në kumtesë, Civil në tërësi e mbështet propozimin e kryetarit të komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski, i cili kërkoi ndalesë të punës në fabrikat e tekstilit.
“Besojmë se edhe kryetarë tjerë të komunave do ta shqyrtojnë nevojën e ndalesës së tillë dhe masa shtesë për mbrojtje, me çka do të kontribuohet për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit dhe dalja e tij e tërësishme jashtë kontrollit. Edhe krahas asaj që ishte paralajmëruar mbyllje e përkohshme e disa fabrikave të tekstilit në Shtip dhe ishte dërguar apel për vetizolim të obligueshëm të të punësuarve në këto reparte, rreziku është ende më i lartë, duke e marrë parasysh faktin se vlejnë lejet për punë gjatë orës policore”; porosisin nga Civil.
Organizata joqeveritare u bën thirrje autoriteteve, veçanërisht MPB-së dhe shërbimeve të inspektimit, t’i përforcojnë përpjekjet për respektim maksimal të masave dhe kufizimeve të cilat kanë për qëllim të parandalohet përhapja e koronavirusit. Njëkohësisht, Civil kërkon deri në fund respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut, në mënyrën që në asnjë rast nuk do të shkelen ose keqpërdoren autorizimet e personave zyrtar gjatë zbatimit të masave.