Maqedoni e Veriut/ Ali Ahmeti: Ministrat e BDI-së dorëhiqen nga qeveria nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka bërë të ditur sot se ministrat e partisë së tij japin dorëheqje nga postet qeveritare, por ai e kushtëzon hyrjen në fuqi të këtyre dorëheqjeve me votimin e ndryshimeve të kushtetutës nga partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

Ahmeti, njoftimin e ka bërë në Facebook, duke iu drejtuar Kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski për arsyet lidhur me këtë vendim të papritur.

Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti shkruan se Maqedonia e Veriut gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane; se vendimet e mëdha, sipas tij kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore, ndërsa BDI-ja është e përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik mbetet interesi më madhor i të gjithë qytetarëve të vendit.

Partia shqiptare vlerëson se ndryshimet kushtetuese janë rruga e vetme e vazhdimit drejt integrimit Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për të arritur numrin e nevojshëm prej dy të tretës së votave në parlament, duhet të votojë edhe VMRO-ja e opozitës.

Ndonëse, VMRO-ja para pak javësh e vuri si kusht votimin e rishikimit të kushtetutës me largimin e BDI-së nga qeveria, tani ajo ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme.

Parlamenti i vendit pritet të fillojë seancën plenare më 18 gusht për ndryshimet e paralajmëruara.

Maqedonia e Veriut ka një afat deri në nëntor që të miratojë këto ndryshime, përkatësisht të përfshijë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrim në këtë Bllok./ VOA

Share This Article