LSDM-ja nuk e sheh të arsyeshëm takimin e liderëve në këtë periudhë. Përgjigja e tyre vijon pas thirrjes së VMRO-DPMNE-së për organizimin e një takimi të tillë nga ana e Presidentit Stevo Pendarovski, në vend të rikthimit të Kuvendit. Vetë Presidenti për MIA-n kishte deklaruar se takimin do ta thirr në gjysmën e parë të majit, percjell Alsat.
Vlerësojmë se në pikëpamjen e këtij momenti është akoma herët të flitet për zgjedhje, vlerësojmë se është akoma herët për takim liderësh te Presidenti Pendarovski sepse në këtë moment plotësisht i mbështesim institucionet në luftën kundër kësaj pandemie – deklaroi Lupço Nikollovski, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja nuk mbështet as rikthimin e Kuvendit dhe as caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tyre, zgjidhja do të ishte takimi i liderëve.
Neve na vjen keq që LSDM-ja nuk e pranoi thirrjen tonë për takim liderësh. Mendoj se nuk e kuptojnë në çfarë problemi shëndetësor dhe ekonomik jemi. Kjo është arsyeja kryesore pse duhet të ketë takim liderësh. Arsyeja e dytë është përgjigja e harmonizuar rreth kushtëzimeve të Bullgarisë për anëtarësim në BE – deklaroi Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Aleanca për Shqiptarët, si parti që inicioi rikthimin e Kuvendit këmbëngul se ajo është zgjidhja më e mirë për momentin, megjithatë, janë të gatshëm të diskutojnë për një vendim të përbashkët.
Ne do të kërkojmë prej ekspertëve që të japin sqarim definitiv për këtë. Pasi të japin sqarim definitive, jemi të gatshëm të ulemi me të gjitha partitë politike dhe të sjellim vendim të përbashkët për të mirën e qytetarëve – tha Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i ASH-së.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi tashmë disa ditë nuk i është përgjigjur nismës së firmosur nga 35 deputetë për rikthimin e Kuvendit, për të konfirmuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për dy herë radhazi nga ana e Presidentit. Nisma është nënshkruar nga të gjitha partitë parlamentare, përveç se nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja.