Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për gjendjen dhe respektimin e lirive fetare në botë, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, ka nënvizuar problematikën e mos akreditimit të shkollave të mesme fetare në vendin tonë. Aty cekët vështirësitë e regjistrimit të maturantëve nga këto shkolla të mesme në universitetet shtetërore të vendit tonë.
Edhe pse ishte premtuar që vite më parë, shkolla e mesme islame – Medreseja “ISA BEU” dhe ajo krishtere – ortodokse, vazhdojnë të mbeten jashtë listës së shkollave të mesme publike në vend, ndërkohë që maturantët që diplomojnë në këtë shkollë të mesme, tashmë edhe zyrtarisht ju mohohet e drejta për regjistrim në universitetet publike.
Në raport e fundit të publikuar nga DASH, thuhet se shkollat e mesme fetare të KOM-OA dhe BFI-së, kanë mbetur të paakredituara dhe maturantët e tyre nuk mund të regjistrohen në universitetet laike sepse nuk kanë të drejtë të marrin provimin shtetërorë që Ligji për Arsimin e Lartë kërkonte të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të kalonin për t’u regjistruar në universitete.
“Maturantët nga shkollat e mesme fetare KOM-OA dhe BFI, megjithatë, mund të regjistroheshin pa u dhënë provimin shtetërorë vetëm në Fakultetin e Ortodoksisë dhe Fakultetin e Shkencave Islame. Qeveria, KOM-OA dhe BFI punuan së bashku gjatë vitit për të zgjidhur disa dallime në rregullimin dhe akreditimin e shkollave fetare. Deputetët e koalicionit Qeverisës thanë se kanë hartuar amendamentet e Ligjit për arsimin e mesëm të vitit 2020, të mbështetur nga dy grupet fetare dhe që do të institucionalizonin shkollat e mesme fetare.
Pasi të miratohen, amendamentet do t’i japin statusin e shkollës shtetërore dhe financimin shtetëror shkollave të mesme të krishtera ortodokse dhe medresesë islame, ku do t’i lejojë shkollat të funksionojnë pa ndërhyrjen e Qeverisë. Qeveria, KOM-OA dhe BFI arritën një kompromis në korrik që programet e shkollave të mesme fetare të përmbajnë 55 për qind lëndë të përgjithshme laike dhe 45 për qind lëndë fetare. Parlamenti, megjithatë, nuk mbajti seancën e kërkuar të komisionit për amendamentet e propozuara”, thuhet në raportin e DASH.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka ndarë gjithsej përafërsisht 25 milionë denarë për këto dy fakultete për vitin shkollor 2022-2023.
Në raport ceket që përfaqësuesit e BFI-së kanë thënë se pavarësisht negociatave të vazhdueshme për ndryshimet në ligjin e arsimit, Qeveria vazhdoi të vononte certifikimin e medreseve të drejtuara nga BFI që dëshironin të merrnin akreditim. “Kjo ishte një arsye tjetër, përveç detyrimit të provimit kombëtar, që studentët e atyre shkollave nuk mund të regjistroheshin në universitetet laike.
Më 1 shkurt, me kërkesë të kryeministrit, kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe drejtori i CRRCG-së, Darijan Sotirovski, u takuan me krerët e pesë grupeve fetare të përmendura në kushtetutë – Kryepeshkopin Stefan KOM-OA, kreun e BFI-së, Reisul-Ulema Hfz. Shaqir ef. Fetat, Imzot Kiro Stojanov i Kishës Katolike; Pepo Levi i Komunitetit Hebre dhe Marjan Dimov nga EMC – të cilët shprehën vlerësimin e tyre për vëmendjen e nivelit të lartë të qeverisë ndaj interesave të komuniteteve të tyre fetare”, thuhet në raport.
Drejtori ekzekutiv i Horizon Civitas, Samet Shabani për gazetën KOHA, ka deklaruar se është e papranueshme që studentët e shkollave fetare në shekullin 21 akoma nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta me bashkëmoshatarët e tyre që vazhdojnë arsimimin në shkolla tjera. “Deputetët që janë zgjedhur me votat tona, vazhdojnë të luajnë me fatin e nxënëseve duke e shtyrë zgjidhjen me anulimin e seancave.
Nëse propozim-ligji nuk kalon deri në korrik, me shumë gjasa zgjidhja do ngelë për vitin e ardhshëm, që i bie të kemi edhe një gjeneratë më tepër të diskriminuar sistemikisht. Si aktivist i shoqërisë civile i ftoj deputetët në përgjegjësi sa më të hershme dhe të shpejtë”, u shpreh Shabani.
Ndryshe nga BFI, vazhdimisht janë ankuar për këtë problematik dhe thonë se si pasojë e tendencave dhe faktorit politik, kjo çështje ka ngelur pezull dhe pa asnjë epilog konkret edhe pse kërkesat dhe përpilimi i organizimit mësimor në këtë institucion edukativo-arsimor është rregulluar çdoherë në përputhje sikurse është kërkuar nga MASH-i.
Nga ana tjetër, deri më tani edhe pse ka qenë e ndaluar disa universitete i kanë pranuar maturantët nga këto shkolla në fakultetet e tyre. Me çka këto veprime pasuan ku para dy viteve MASH, solli një vendim për largimin e studentëve që kanë kryer shkollimin e mesëm fetar. Në vendimin e nënshkruar nga ish-ministrja Milla Carovska, theksohej se nxënësit e këtyre shkollave të mesme fetare nuk e kanë kryer Maturën Shtetërore dhe bazuar në Ligjin për Arsimin e lartë në fuqi, të njëjtit nuk mund të regjistrohen në universitete. (koha.mk)