Maqedonia do t’i kërkojë Brukselit që qytetarët të mos paguajnë tarifat për lëvizje të lirë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut do t’i kërkojnë Brukselit që qytetarët të mos paguajnë për tarifën e cila pritet të hyjë në fuqi me sistemin ETIAS, i cili parashikon që çdo qytetar duhet të regjistrohet në mënyrë elektronike përpara se të udhëtojë në vendet e zonës Shengen, si dhe në Islandë, Norvegji dhe Zvicër.

“Zëvendëskryeministri Mariçiq tashmë është në komunikim me kolegët e tij nga rajoni dhe ka disponim nga ana e tyre për këtë nismë. Bisedimet janë duke vazhduar dhe deri në maj pritet t’i dërgohet një mesazh i përbashkët Komisionit Evropian”, tha Sekretariati për Çështje Evropiane, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

Sistemi do të fillojë të funksionojë nga nëntori i këtij viti, ndërsa regjistrimi elektronik do të kushtojë shtatë euro dhe do të vlejë për çdo hyrje të radhës në vendet e specifikuara brenda një periudhe trevjeçare.

Megjithatë, Këshilli i Ambasadorëve shprehu shqetësim për vendimin e tillë të Komisionit Evropian, duke theksuar se nuk duhet të vendosen masa kufizuese, pasi vendi ka liberalizimin e plotë të vizave.

“Futja e autorizimeve digjitale të udhëtimit në zonën Shengen dhe pagesa e tarifës së hyrjes prej shtatë euro për person është një hap serioz prapa dhe ringritje e barrierave të reja dhe të panevojshme që do të prishin qarkullimin e lirë të njerëzve midis Bashkimit Evropian dhe vendet kandidate”, thonë nga Këshilli i Ambasadorëve.

Bashkimi Evropian ka theksuar më parë se ky formular nuk është vizë. Sipas Brukselit, sistemi do të rrisë sigurinë, por edhe do të përshpejtojë procedurën e hyrjes në pikat kufitare. Ideja për një sistem të tillë lindi që në vitin 2016, por prezantimi u zvarrit vazhdimisht.

Share This Article