Maqedonia e Veriut mban vendin e 92-të në listën e “Reporterët pa Kufij”, dedikuar lirisë së mediave. Krahasuar me një vit më parë vendi është ngjitur tre vende më lart.
Si hap pozitiv përmendet ndërprerja reklamave në media, hap i ndërmarrë nga Qeveria aktuale. Sidoqoftë “Reporterët pa Kufij” theksojnë se komunave u lejohet që të reklamojnë në mediat lokale dhe kështu u jepet një mjet për t’i kontrolluar ato.
Numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është zvogëluar, megjithatë ekziston një praktikë në rritje e ngacmimit në internet dhe abuzimit verbal. Në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror theksohet se dekada e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e gazetarisë.
Sa ia përket lirisë së mediave, para Maqedonisë renditet Greqia, në vendin e 65-të, Kosova zë vendin e 70 dhe Shqipëria në vendin e 84-të. E para në listë është Norvegjia, më pas Finlanda, Danimarka, Suedia dhe Holanda. Në Fund të listës, në vendin 177 është Kina, Eritrea dhe Turmekistani.