Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmend të mbyll kufijtë edhe pse një vendim të tillë ka marrë shteti fqinj Serbia.
I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të vendos masa reciproke ndaj shtetasve të Serbisë, respektivisht PCR test negativ për Covid-19 me qëllim hyrjen në vend, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se për momentin nuk ka nevojë për një vendim të tillë.
“Për momentin jo! Mendojmë që kjo nuk përbën rrezik, edhe situata e tanishme tregon se kufijtë e hapur nuk janë rrezik për përkeqësimin e situatës rreth pasqyrës epidemiologjike. Transmetimi lokal është rreziku kryesorë”, deklaroi ministri i shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.
Ndërkohë, një vendim i rëndësishëm është se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kalojnë transit nëpër Serbi nuk kanë nevojë që të kenë testin PCR.
Ndërkohë, mbyllje të kufirit nuk do të vendos as Kosova, por as edhe Shqipëria, derisa Greqia ka vazhduar masën e mbylljes së kufirit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa një vendim të tillë e ka edhe Bullgaria, e cila kërkon testin PCR, për shtetasit e huaj./ina/